Meta kërkon njohjen e saj. Brnabiç: Provokim!

Çdo kërkesë që vjen nga autoritetet shqiptare për njohjen e Kosovës, Serbia e sheh si provokim. “Provokacia” ka thirrur edhe Kryeministrja serbe Ana Brnabiç, njësoj si paraardhësi i saj Vuçiç, kur Presidenti Ilir Meta ne samitin e Sarajevës kërkoi nga vendet e pranishme që s’e kanë hedhur ende këtë hap, ta njohin pavarësinë e Kosovës.

“Është koha e duhur që jo vetëm Bosnja dhe Hercegovina, që duhet të kishte bërë të gjitha përpjekjet për të garantuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit, por edhe çdo vend tjetër të bëjë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të këtij realiteti. Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj“, tha Presidenti Ilir Meta gjatë fjalës së tij në samit.

“Përmbahuni nga provokimi. Në këtë tryezë ka disa vende që nuk e njohin Kosovën, dhe unë sugjeroj që të mos ketë përplasje për këtë çështje mes shteteve të tjera. Më vjen keq që përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme të Prishtinës nuk janë këtu. Kjo tregon se çfarë bashkëpunimi dëshiron Prishtina”, u kundërpërgjigj Kryeministrja serbe.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaci refuzoi të merrte pjesë në samitin e Sarajevës, që vjen si pjesë e procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore, pasi kryesuesi i presidencës boshnjake, përfaqësuesi serb, Millorad Dodik, në ftesat dërguar vendeve pjesëmarrëse shkruhen vetëm emrat e kryeqyteteve dhe jo shtetet prej nga vijnë, një mënyrë kjo për të treguar se nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Në shenjë solidariteti, edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë Gent Cakaj refuzoi ftesën e Dodik. Por nuk bëri të njëjtën gjë kreu i shtetit Ilir Meta, i cili mori pjesë në këtë samit. Thaçi e kishte kritikuar Presidentin Meta edhe për faktin se ftoi në Samitin e Brdo Brijunit të organizuar prej tij në Tiranë, Presidenti Dodik.

Tv Klan