Qeveria e Kosovës ka shtyrë për disa muaj regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Ndonëse më parë është menduar që ky proces të fillojë brena këtij viti. Ministri i Shërbimit Publike Arsim Bajrami, në një intervistë për Klan thotë, se arsyet kryesore të kësaj shtyrje janë problemet teknike dhe ato legale.
Arsim Bajrami: “Unë dje jam kthyer nga vizita e Eurostat. Eurostati është agjencioni evropian për çështje të statistikave dhe ka marrë një lloj konfirmimi dhe pëlqimi që Kosova mundet në fillim vitit 2009 ta implimentoj regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë. Po shpresoj që diku nga muaji prill ose fillimi i muajit maj do të mund ta implimentojmë plotësisht procesin e regjistrimit të popullsisë”.
Por nuk janë vetëm problemet teknike dhe ato legale që po shtyjnë procesin e regjistrimit të popullsisë, pengesa kryesore duket të jenë serbët e Kosovës. Përfaqësuesit politik të përfaqësuesve të Kosovës po insistojnë që njëherë për njëherë të mos fillojë procesi i regjistrimit të popullsisë. Pasi që sipas tyre kështu do të legjitimoj spastrimi etnik në Kosovë.
Arsim Bajrami: “Dhe mund të them haptas se një pjesë e hezitimeve të ndërkombëtarëve ka qenë te ajo se a do të dalin edhe serbët në regjistrim dhe a do t’i përgjigjen regjistrimit të popullsisë duke pasur parasysh praktikat e bojkotit që ata kanë ndjek në Kosovë. Ne kemi shpjeguar që qeveria e Kosovës do të zhvilloj një fushatë mediave sensibilizuese mes serbëve lokal që ata të inkurajojnë që regjistrimin ta kuptojnë më tepër si çështje demografike dhe ekonomike, dhe më pak si politike”.
Që nga viti 1981, në Kosovë nuk ka pasur regjistrim të popullsisë duke hapur kështu mundësinë e spekulimeve të shumta rreth numrit të banorëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve në Kosovë. Në regjistrimin e vitit 1981 në Kosovë llogariteshin të jenë rreth 2 milion banorë, 27 vjet nga ai regjistrim ky numër është dukshëm më i madh.
Qeveria e Kosovës parashikon që për regjistrimin e popullsisë të shpenzoj rreth 8 milion euro, ndërkohë që 8 mijë persona do të jenë të angazhuar në këtë proces./tvklan.al
Gazetar: Leonard Kërquki