Së shpejti lojërat e fatit do të ndalohen edhe me ligj. Pas miratimit të rezolutës për ndalimin e lojërave të fatit, qeveria ka miratuar projektligjin për shfuqizimin e ligjit për lojërat e fatit.
Nëse projektligji si i tillë miratohet edhe në Kuvend, atëherë do të ndalohen të gjitha lojërat e fatit. Në këtë vendim përjashtohet lotaria e Kosovës.
“Lotaria e Kosovës mbetet pasi ajo është ndryshe. Të gjitha lojërat tjera të fatit mbyllen. Kur kam thënë që po vij në qeveri për t’i kryer disa punë, ne këtë edhe po bëjmë. Çdo ligj e ka koston e vet. Edhe ky ligj e ka koston e vet. Sa i përket vendeve të punës, jemi të gatshëm të shohim se çfarë do të ndodhë me ata vajza e djem të reja që kanë punuar aty. Tash e ka Parlamenti pjesën e vet
“, u shpreh Kryeministri Ramush Haradinaj.
Ndalimin e lojërave të fatit e ka kërkuar edhe kryetari i komunës së Suharekës. Ai ia ka dorëzuar peticionin me 11 mijë nënshkrime të qytetarëve kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit.
Kërkesa për mbylljen e lojërave të fatit fillimisht nga partia opozitare LDK-ja e më pas e përkrahur nga partitë tjera politike, ka ardhur pas dy rasteve të vrasjeve brenda objekteve të kazinove, në Suharekë dhe në Lipjan.
Kryeministri Haradinaj ka folur edhe për tërheqjen e Shqipërisë nga marrëveshja për heqjen gradueale të kufirit me Kosovën. Ai e ka arsyetuar këtë me obligimet që ka marrë pas liberalizimit të vizave.
Tv Klan