Asnjë nga universitetet private në Kosovë nuk i plotëson kushtet për akreditim dhe licencim. Ky është konkluzioni që ka nxjerrë këshilli britanik për akreditim, një organizatë kjo e rekrutuar nga ministria e arsimit.
Ministri i Arsimit Enver Hoxhaj thotë se kreditimi i universiteteve private është që të vihen kritere të qarta në këtë sektor.
Enver Hoxhaj: “Qeveria e Kosovës ka vendosur që të angazhojë një këshill britanik për akreditim një trup të pavarur profesional. I cili në mënyrë profesionale ka analizuar gjendjen dhe ka dhënë konkluzione dhe sugjerime konkrete të cilat konkluzionet përmblidhen thjesht në tre shtylla që nuk duhet të ketë akreditim që nuk duhet të ketë licencim. Dhe qeveria ka vendosur që të mos pranohen studentë në vitin e parë. Me që nuk e dimë se cila nga këto do jetë në gjendje që të akreditohet gjatë vitit të ardhshëm.”
Aktualisht në Kosovë funksionojnë dhjetëra universitete private, ndërkaq në to studiojnë 20 mijë studentë. Vetëm 10 mijë studentë më shumë studiojnë në universitetin publik të Prishtinës. Kjo nxjerr si domosdoshmëri vënien e një rregulli në këtë fushë.
Por Salal Ahmetxhekaj, drejtues i një universiteti privat mendon se ky sektor është dashur të rregullohet në një mënyrë tjetër. Ai ndjehet i dëmtuar nga vendimet e këshillit britanik për akreditim.
Salal Ahmetxhekaj: “Ka qenë për neve një raport shumë i përgjegjësuar dhe jo një matje e mirë e punës dhe e cilësisë që është bërë në universitetet private. Prandaj e konsideroj si hap të ngutshëm dhe ulje e imazhit tonë si universitete private.”
Universitetet private edhe pasi që nuk janë akredituar, ato do të vazhdojnë të funksionojnë normalisht. Mirëpo ato nuk kanë të drejtë të pranojnë studentë të rinj, deri në një vendim tjetër të ministrisë së arsimit./tvklan.al
Gazetar: Leonard Kërquki