Forcat e shërbimit policor kanë prangosur mbrëmjen e së shtunës një prej atentatorëve të kryeministrit kosovar Hashim Thaçi. Pas presioneve nga familja e tij, i riu Fasli Sejdiu, i cili mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me rojet e sigurisë së shtëpisë së Thaçit, ka pranuar të vetëdorëzohet në duart e policisë.
Në deklaratën e parë të tij, atentatori ka thënë për policinë, se gjithçka e kishte bërë për plaçkitje, i detyruar nga varfëria dhe varësia ndaj drogës. Fasli Sejdiu së bashku me persona të tjerë, emrat e të cilëve pritet të bëhen të ditur prej tij, sulmuan shtëpinë e kryeministrit kosovar mbrëmjen e së premtes.
Leonard Kërquki: 50 metra nga këtu pikërisht në anën e djathë të kësaj rruge ndodhet shtëpia e kryeministrit zotit Hashim Thaçi. Policia e ka bllokuar këtë rrugë disa çaste pas sulmit që ndodhi ndaj shtëpisë së kryeministrit, mbrëmë rreth orës 23:30 minuta. Policia nuk ka ndaluar askënd dhe gjithashtu nuk ka të dyshuar për këtë sulm. Por vlen të përmendet se sulmi ka qenë i përgatitur mirë pasi që në momentin e shkëmbimit të zjarrit mes sigurimit personal të kryeministrit dhe sulmueseve së paku njëri sulmues ndodhej në katin e dytë të shtëpisë së kryeministrit, pikërisht në tarracën e shtëpisë së tij.”
Sulmi është dënuar ashpër nga të gjitha institucionet kosovare dhe ato ndërkombëtare, duke e konsideruar si një akt të rëndë./tvklan.al
Gazetar: Leonard Kërquki