Një ditë pasi Komisioni Qendror Zgjedhor në  Kosovë nuk e certifikoi për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 Shkurtit, Lista Serbe ka paralajmëruar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Lista Serbe ka kritikuar direkt Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se ka urdhëruar anëtarët e KQZ-së për të refuzuar certifikimin e kësaj partie. Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha se vendimi i KQZ-së, është jodemokratik dhe kundër serbëve.

“Ne besojmë se kjo u bë me urdhra të Albin Kurtit për t’ua ndaluar serbëve pjesëmarrjen në zgjedhje. Ky vendim s’ka bazë në ligje dhe është dëshmi se sa shumë Kurti dëshiron t’i heqë qafe serbët nga këto territore.”

Tha se do të shfrytëzojnë të drejtën për ankesë.

“Kjo është dhunë institucionale dhe ligjore ndaj popullit serb dhe ndaj Listës Serbe sepse Kurti nuk dëshiron të shohë deputetët e Listës Serbe në Parlamentin e Kosovës, por dëshiron të ketë serbë të bindur si i ashtuquajturi ministër, Nenad Rashiq”.

KQZ-ja të hënën vendosi të mos e certifikojë këtë parti, duke marrë për shkak thirrjet nacionaliste të kryetarit të Listës Serbe në Kosovë të bëra gjatë prezantimit të listës zgjedhore. Moscertifikimin e Listës Serbe e kanë dënuar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tv Klan