Taktikat e paligjshme elektorale të përdorura më 28 qershor vijojnë ende të jenë një shqetësim për Kreun e KQZ-së, Arben Ristani.
Institucioni i drejtuar prej tij ka depozituar në prokurori disa kallëzime penale në tre qarqe, atë Fier, Shkodër dhe Kukës, ndaj komisionerëve që ditën e zgjedhjeve e shkelën kodin elektoral, abuzime këto të evidentuara me forcë dhe në raportin përfundimtar të misionit të OSBE ODIHR-it, ku theksohet se procesi u bllokua në disa VNV, ku ndarja e mandateve ishte ose dukej shumë e ngushtë, siç ishte dhe rasti i Bushatit në Shkodër.
Për këtë zonë raporti thotë se numërimi u bllokua nga komisionerët e opozitës. Sipas kreut të KQZ-s këtij fenomeni i duhet dhënë fund dhe ndaj të gjithë shkelësve që kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë braktisur qendrat e votimit, apo ato të numërimit duhet të veprojë dora e ligjit.
Qëndrimi i z.Ristani vjen në një kohë kur gjykata e qarkut të Shkodrës dënoi të martën me gjobë tre komisionerët e Partisë Socialiste në qendrën e votimit 03/42, të cilët u akuzuan për shpërdorim detyre dhe në një kohë kur prokuroria e qarkut Fier ka nisur një hetim në fshatin Ruzhdie, por pa e përfunduar atë ndonëse kanë kaluar 7 muaj.
Arben Ristani: “Nuk i kemi dhënë zgjidhje fenomenit dhe mund të na përsëritet dhe në zgjedhjet e ardhshme. E vetmja mënyrë ligjore që ka mbetur tashmë është reagimi i fuqishëm nga ana e organeve të drejtësisë. Një nga këto është dhe largimi i njërës palë, duke marrë vulën e komisionit me vete. Kjo është një taktikë e paligjshme e cila është zhvilluar gjithmonë aty ku pala tjetër ka pasur le të themi historikisht vota në favorin e saj. Ne u përpoqëm ta shmangnim këtë fenomen në zgjedhjet në Shijak dhe KQZ-ja pati një vendimmarrje, ku u vendos që të vazhdojë votimi dhe me një vulë”.
Burime për Tv Klan nga prokuroria e Qarkut Fier bëjnë me dije se hetimi i nisur për komunën Ruzhdie ka ardhur pas kallëzimit penal të bërë nga Qazim Aliaj, në cilësinë e sekretarit në qendrën e votimit nr. 30/52. Të njëjtat burime saktësojnë se ndaj z.Aliaj ka një tjetër kallëzim penal të bërë me 28 qershor nga KQZ pikërisht pasi ky i fundit nuk ka pranuar të kthejë vulën dhe as ka njoftuar forcat e rendit si dhe KZAZ-n numër 19 në Fier për kërcënim të jetës nga komisionerët demokratë në këtë qendër votimi.
I pyetur nga TV Klan për hetimet e nisura nga Prokuroria e Fierit, pas padisë së bërë nga Qazim Aliaj, kreu i KQZ-s Ristani thotë se e sheh si të njëanshëm pozicionin e organit të akuzës, i cili ende sipas tij nuk është shprehur për kallëzimin penal të bërë nga komisioni që administron dhe certifikon rezultatin e zgjedhjeve.
Arben Ristani: “Kemi një vazhdimësi dhe një kotjunitet të njërës forcë politike në qendrën e votimit të caktuar dhe kjo është taktika elektorale që përdoret rëndomë, ku forca tjetër e di që rezultati këtu është në këto shifra dhe veprojnë në mënyrë të tillë, duke mos zbatuar ligjin, përkundrazi duke e thyer atë në mënyrë të dukshme. Është bërë lajtmotivi i ditës tashi fenomeni i Ruzhdies. Kjo është një situatë që duhet si e njëanshme por mbase është shpjet për të folur, do shikojmë ecurinë e hetimeve”.
E ndërsa apeli i bërë nga Kreu i KQZ-s kërkon zbardhjen e menjëhershme të hetimeve, si dhe zbatimin e ligjit çfarë parashikon në të vërtetë kodi penal në rastet kur komisionerët shpërdorojnë detyrën dhe falsifikojnë dokumentet zgjedhorë.
Neni 248 sanksionon gjobë ose burgim deri në 7 vjet dhe në nenin 326 të kodit penal kur tentohet të falsifikohet rezultati i zgjedhjeve, atëherë shkelësit e ligjit dënohen me gjobë, ose deri në 5 vite heqje lire. /tvklan.al