Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka informuar partitë politike për mosrealizimin e votimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme në 5 qarqe. Shkak për mosrealizimin e këtij objektivi është bërë koha e pamjaftueshme për përgatitjen teknike dhe njerëzore për votimin elektronik.

Në një letër drejtuar dhjetë subjekteve politike, Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi thotë se për zgjedhjet e ardhshme, votimi elektronik mund të realizohet vetëm në dy qarqe, në Elbasan dhe në Durrës.

Qarku i Elbasanit është zgjedhur nga KQZ për të kryer votimin elektronik për shkak se qytetarët e kanë një eksperiencë të votimit të tillë në zgjedhjet vendore të vitit 2023. Ndërsa Durrësi është zgjedhur për shkak të logjistikës dhe distancës që ka me Tiranën dhe KQZ. Në këtë mënyrë, ky institucion do e ketë më të lehtë për të përgatitur terrenin për votimin elektronik, si dhe trajnimin e personave që do të përshihen në këtë proces.

Kryekomisioneri u ka lënë afat subjekteve politike deri në datën 19 Tetor për të dhënë një mendim në lidhje me propozimin e tij për realizimin e votimit elektronik vetëm në dy qarqe.

Në letrën dërguar subjekteve politike, Celibashi ka zbuluar edhe datat e mundshme se kur mund të mbahen zgjedhjet. Sipas këtij institucioni, data e parë e mundshme është 20 Prilli i vitit të ardhshëm, ndërsa 11 Maji është data e fundit kur qytetarët mund t’u drejtohet kutive të votimit.

Në vitin 2023, qytetarët zgjidhën krybashkiakët e tyre nëpërmjet votimit elektronik në tre bashki, Elbasan, Kamëz dhe Vorë.

Klan News