Emri i Mihal Delijorgjit në proces gjykimi për tragjedinë e Gërdecit shfaqet sërish.
Këtë herë janë tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Durrës nën akuzën e favorizimit të Delijorgjit,ndërsa ishte në proces për evazion fiskal.
Faktet në ngarkim të gjyqtarëve, Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo, i ka zbardhur inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Kreshnik Spahiu, nënkryetari i KLD-së, thotë se ka argumente të fortë që provojnë shkelje ligjore të tre togave të zeza, ndaj dhe Spahiu i është drejtuar me një relacion Ministrit të Drejtësisë, Alibeaj, për të marrë masë për shkarkimin e tyre.
Kreshnik Spahiu: “Ndër shkeljet, të cilat mund të përmendja janë shqyrtimi i padisë civile në procesin penal pa kërkesën e vetëinteresuarit, pa ankimin dhe kërkesën e Delijorgjit dhe nga kjo është hequr një dëmshpërblim prej më shumë se 1 miliard e 200 milion lekësh. Jashtë çdo parimi kushtetues dhe ligjor. Gjyqtarët kanë marrë nën shqyrtim prova pa marrë një vendim të veçantë për hapjen, rihapjen e shqyrtimit gjyqësor”.
Por duket se historia nuk mbyllet këtu. Spahiu thotë për Klan se favorizimi që tre gjyqtarët i kanë bërë Mihal Delijorgjit i kanë dhënë mundësinë atij të angazhohet në të tjera aktivitete, përfshirë këtu dhe demontimin e armëve në Gërdec.
Kreshnik Spahiu: “Pafajësia e Delijorgjit ka favorizuar kompaninë dhe vetë personin për të legjitimuar nënshkrimin e shumë kontratave ashtu siç një deklarim fajtor do të hiqte mundësinë pasi ka pengesa ligjore për të nënshkruar marrëveshje apo kontrata të rëndësisë së veçantë në rastet kur subjektet kanë precedentë penal.”
Gjykatat e vendit jo për herë të parë janë vënën nën shënjestrën e kuqe të inspektoratit të KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë për identifikimin e rasteve korruptive në togat e zeza./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi