Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu ka deklaruar se në mbledhjen e qeverisë është vendosur që të konsiderohet krijmi dhe organizimi i forcës së rezervistëve në Shqipëri. Sipas ministrit Vëngu, kjo forcë rezerviste hap dyert e karrierës ushtarake.
Pirro Vengu: Ka lindur nevoja që të konsiderojmë krijimin dhe organizimin e forcës së rezervistëve në Republikën e Shqipërisë. Kjo i jep mundësi ushtarakëve aktivë që kanë vendosur që për arsye të ndryshme të zhvillojnë karrierën e tyre në privat, i japim mundësi përmes këtij projektligji që ata të rikthehen në forcat e armatosura me misione specifike dhe të japin kontributin e tyre për misione specifike me detyrime që mund të mbulojnë misionet paqeruajtëse, misionet në kuadër të angazhimeve në NATO apo në rajon. I japim mundësi karrierës ushtarake të jetë më fleksible. Përmes forcës rezerviste, hapim dyert e karrierës ushtarake në mënyrë që të gjitha ata që e konsiderojnë këtë karrierë dhe benefitet e saj, të mund t’i ushtrojnë përmes rikthimit në detyrën aktive.
Gjatë fjalës së tij, Vëngu ka thënë se synohet që fillim-viti 2025 të ketë formuar hapat e para të forcës së rezervistëve, për të cilën ka shtuar se buxheti i parashikuar është 15.1 milionë Euro.
Pirro Vengu: Synojmë që fillim-viti që vjen të na gjejë me formimin e hapave të para të forcës së rezervistëve. Kemi një mbështetje dhe paketë financiare në buxhetin 2025 të dedikuar për forcën rezerviste prej 15.5 milionë Euro. Sikundër dhe një angazhim të mëtejshëm dhe në vitet në vijim. Në këtë mënyrë, kemi një instrument tjetër për t’u bërë një forcë e armatosur më tërheqëse, sikundër dhe përsa i përket nevojave të emergjencës civile.
/tvklan.al