Partia Demokratike ka ndryshuar pothuajse të gjithë kryetarët e degëve të saj nëpër rrethe. Kriteri bazë për drejtimin e strukturave drejtuese kanë qenë elementët e rinj të përzgjedhur nga shoqëria civile. Ndryshime të menjëhershme kanë pësuar ato rrethe ku kanë dalë në pah mangësitë e punës pasi janë bërë analizat e fushatës së zgjedhjeve lokale si dhe prfundimi i mandatit të disa krerëve lokalë. Sekretari organizativ në Partinë Demokratike Ilir Bano shprehet se kriteret për përmirësimin e strukturave janë niveli i tyre intelektual, reputacioni i zonës si dhe kontributi në Partinë Demokratike.

Ilir Bano: “Shumica janë elementë të rinj të degëve, shumica dërrmuese e tyre që nga Saranda, Gjirokastra, Përmeti dhe deri në Lezhë, Tepelenë. Analiza këtë qëllim ka, që të evidentojë atë gjë që është bërë mirë sikurse dhe atë gjë që nuk është bërë në shkallën e mjaftueshme dhe të gjitha këto pastaj të pasqyrohen në rinovimin e atyre strukturave që nuk e kanë justifikuar punën.”

Përzgjedhja e kryetarëve nga shoqëria civile është kundërshtuar nga kryetari i degës së Partisë Demokratike në Tiranë Vili Minarolli pasi e ka quajtur antistatutor.

Vili Minarolli: “Kryetari të degës ose kryetarët e strukturave të zgjedhur, të strukturave, duhet te jenë anëtarë të Partisë Demokratike ashtu siç në strukturat e partive të tjera duhet të jenë anëtarë të asaj partie dhe është e përcaktuar në statut. Po s’qe antar i një partie ai nuk mund të zgjidhet, atë e zgjedh anëtarësia e partisë dhe quhet kryetar i seksionit të Partisë Demokratike, kryetar i nëndegës së Partisë Demokratike dhe në qoftë se unë nuk jam anëtar i Partisë Demokratike, atëherë këta që më kanë zgjedhur çfarë do të zgjedhin.”

Ka filluar procesi në Durrës, ku nuk do të jetë më Edmond Kapedani e ndërsa Konferenca e Tiranës është lënë e fundit në shtator. /tvklan.al