Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në takimin e “Open Balkan” është shprehur se Bullgaria dhe Rumania hezitojnë të bëhen pjesë e Ballkanit. Ai u shpreh kritik ndaj këtyre vendeve dhe tha se po përpiqen të heqin qafe emrin “Ballkan”.

“Nuk e di nëse e kupton, por ke prekur një pikë goxha të dobët të të gjithëve, duke thënë që jam nga Ballkani edhe pse jam nga Hungaria, që do të thotë që Ballkani përfshin Greqinë, Hungarinë, Kroacinë dhe Turqinë. Bullgaria dhe Rumania, nuk e di pse, sikur hezitojnë të bëhen pjesë tani. Të gjitha këto vende dhe gjithë këta njerëz përpiqen që ta heqin qafe emrin Ballkan dhe tani mendojnë që ai po bëhet tërheqës. Do bëhet gjithmonë e më shumë tërheqës, jam i sigurt, dhe në të njëjtën kohë, jemi tërësisht të vetëdijshëm, sa i takon një lloj hezitimi në disa prej kancelarive, por megjithatë, duke pasur mbështetjen e plotë te administratës amerikane për “Ballkanin e Hapur”, duke pasur mbështetjen e plotë të disa anëtarëve të rëndësishëm të Bashkimit Europian, konkretisht të Francës dhe Holandës e të tjerëve, duke pasur mbështetjen tuaj të plotë të Bruksel, ne e theksojmë se ju takon veprave për ta treguar se çfarë është kjo nismë integruese sesa fjalëve. Kjo tryezë është e hapur për të 6 pjesëtarët e komunitetit të Ballkanit Perëndimor dhe u takon tre të tjerëve që të vijnë e të bëhen pjesë”, tha Rama./tvklan.al