Trajneri i kombëtares, Sylvinho, e sheh mjaft pozitivisht të ardhmen e futbollit shqiptar. Në një bisedë në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ai vlerësoi punën e bërë dhe nxiti edhe trajnerë të tjerë pas tij që të jetojnë e punojnë pranë ekipit sepse gjithçka ka ndryshuar.

Një pikë tjetër e bisedës ishin kritikat ndaj zgjedhjeve të tij. Jo pak herë, tifozët apo njohës të sportit  shprehin pakënaqësi apo dyshime për lëvizjet e trajnerit. Sylvinho tha se nuk ka asgjë personale me lojtarët, por nuk mund të ecë me 23 prej tyre gjithë vitin.

Ai pranon se si të gjithë kolegët, has probleme në këtë pikë por preferon që ta diskutojë me lojtarin dhe gjithçka vazhdon përpara.

Blendi Fevziu: Dua t’ju pyes, paçka se është e vështirë për t’iu përgjigjur: cila mendoni do të jetë e ardhmja e futbollit shqiptar, edhe nëse do jeni apo jo në stolin e trajnerit, apo dikush tjetër do vijë pas jush, a jeni optimist apo jo?

Sylvinho: Shumë! Pa kurrfarë dyshimi!

Blendi Fevziu: Përse?

Sylvinho: Me Sylvio-n apo Sylvio-n! Sepse është tashmë i zhvilluar, ka avancuar, ka bërë shumë kalime. E ka parë dhe federata, edhe kombi punën e bërë. Unë nuk e di, kam firmosur një kontratë, nuk e di kur,  por edhe një trajner tjetër pas meje duhet që të vijë këtu të punojë, të jetojë këtu. Gjithçka ka ndryshuar.

Blendi Fevziu: Ndiheni i kënaqur këtu?

Sylvinho: Shumë!

Blendi Fevziu: Pyetja e fundit: nuk e di si është në Brazil, por jam i sigurtë që e keni dëgjuar që në Europë, në Shqipëri, në Ballkan, stafi teknik i Kombëtares  ka pak a shumë 2 milion e gjysmë …

Sylvinho: Trajnerë?

Blendi Fevziu: Po, trajnerë…këtu të gjithë marrin vendime e thonë që ky nuk duhet të zbresë në fushë, pse nuk e zëvendësoi këtë apo atë, si ndiheni kur dëgjoni të gjithë këto diskutime?

Sylvinho:Të lumtë! U kam thënë lojtarëve, edhe në të gjitha konferencat e shtypit, kur pyetet për lojtarët, vetë lojtari duhet ta kuptojë që nuk e kam personale, kur e fus në kombëtare, nuk është se njëri më pëlqen më shumë apo tjetri më pak. Ky është futboll, në kombëtare thërritesh, nuk kemi të bëjmë me një shoqëri që ti ecën me 23 lojtarë gjithë vitin. Dua të them nuk e kam personale me ta, mua më duhet të marr përsipër që ta sjell apo jo në kombëtare një lojtar, më pas janë tre milionë veta të tjerë që thonë se çfarë duhet bërë.

Blendi Fevziu: A e dini se Edi Reja ka patur probleme edhe me vetë lojtarët. Nuk ishte dakord, nuk i fuste në lojë, i linte në stol, etj. A keni dhe ju këtë problem?

Sylvinho: Të gjithë i kemi, por duhet punuar. Unë kam dëgjuar Carlo Ancelloti-n dje në në intervistë të shkëlqyer dhe tha: “unë jam gjithmonë pranë lojtarëve”, dhe jam dakord me të, duhet ecur përpara…

Blendi Fevziu: Pra që nuk keni asgjë personale me lojtarët, në këtë kuptim…

Sylvinho: Ky është një avantazh, kur ke lojtarë të një niveli të rëndësishëm, fatmirësisht e kam bërë, dhe nuk është problem për mua, shkoj tek lojtari dhe flas me të. Diskutohet, flitet dhe rritemi e zhvillohemi së bashku./tvklan.al