Po rriten çmimet e ushqimeve dhe të naftës, po rritet edhe varfëria, megjithatë bota s’ka qenë kurrë kaq e lumtur.
Kështu thotë një studim për mirëqenien globale të Institutit për Kërkime Sociale pranë universitetit të Miçigan në Shtetet e Bashkuara, sipas të cilit Danimarka është vendi më i lumtur në botë dhe kjo falë atmosferës paqësore, demokraci dhe barazi sociale.
Shkencëtarët thonë se Kolumbia, Kanadaja, Puerto Rico dhe Islanda janë ndër dhjetë vendet më të lumtura të botës.
Shtetet e Bashkuara renditen të 16-tat, ndërsa Britania e Madhe e 21-ta. Ndër vendet e rajonit kryeson Maqedonia, por Shqipëria dhe Bullgaria renditen në dhjetë vendet më pak të lumtura të botës, një listë që kryesohet nga Zimbabve, vendi më i trishtuar në botë.
Studiuesit e universitetit të Miçiganit kanë kryer sondazhin që nga viti 1981 deri në vitin 2007. Të dhënat treguan se në 97 vende të botës indeksi i lumturisë është në rritje pozitive.
Ndoshta kjo lumturi e përgjithshme do të largojë shqetësimet mbarëbotërore për këtë krizë ushqimesh dhe energjie që ka shqetësuar të gjithë./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle