Tingëllon e çuditshme, por  në fakt është e vërtetë. Kriza ekonomike ka goditur fort Schalke 04, që duket se nuk ka zgjidhje tjetër për të dalë nga këto probleme. Kjo pasi klubi gjerman po mendon të shesë përfundimisht stadiumin “Veltins Arena”.

Impianti i ndërtuar mes viteve 1998 dhe 2001 konsiderohet si aseti i fundit për të shpëtuar klubin 119-vjeçar nga falimenti. Stadiumi që ka kushtuar rreth 191 milionë euro ka 15 restorante dhe 35 kafene, por edhe hoteleri.

Impianti ka një kapacitet prej mbi 60 mijë tifozë, ndërsa përveçse për ndeshje futbolli përdoret edhe në disiplina të tjera, kryesisht hokej mbi akull. Ende nuk dihet shifra që do përfitojnë presidenca e Schalke 04 nga shitja e këtij stadiumi, i cili do të jetë pritës edhe i kampionatit Europian të kësaj vere.

Katër sfida do të luhen në Gelsenkirchen, tre duele të fazës së grupeve, mes të cilave Spanjë-Itali, kombëtare rivale të kombëtares shqiptare dhe një takim i fazës së 1/8-ave. Kriza ekonomike është reflektuar edhe në fushën e lojës, pasi Schalke 04 numëron vetëm 3 pikë më shumë se pozicioni që të dërgon në Bundesligën 3 në fund të sezonit.

Klan News