Deponi të stërmbushura, mbeturina të përziera dhe ndotje e tokës dhe e ujit nga hedhjet ilegale, janë imazhe të shpeshta në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.
Larg standardeve të BE-së, këto tri shtete të Ballkanit Perëndimor, në një raport të organizatës ndërkombëtare, Lloyd’s Register Foundation, me seli në Londër, u listuan ndër dhjetë vendet e para në botë ku mbeturinat nuk ndahen në burim.
📍 Obiliq, Kosovë
Sa herë del në fund të oborrit, Sërxhan Milliç përballet me pamjen e një deponie gjigante të mbeturinave, së cilës ia ndien erën para se ta shohë.
“S’di si të të them, jetojmë këtu sepse na duhet të jetojmë. Mund ta ndieni vetë erën”.
Milliç, 72-vjeçar, jeton në fshatin Palaj të Obiliqit, që shtrihet në zonën qendrore të Kosovës të ndotur nga termocentralet.
Por, pluhuri dhe tymi i qymyrit, tani nuk është shqetësimi i parë i përditshëm për të.
“Tërë këtë verë ishte shumë nxehtë, nuk kishte shi. Nuk guxuam t’i hapim dyert dhe dritaret nga era e keqe”, tregon pensionisti.
Deponia e Mirashit, rreth 500 metra larg shtëpisë së Sërxhanit, është vendi më i madh i hedhjes legale të mbeturinave në Kosovë, ku grumbullohen mbetje nga së paku gjashtë qytete, apo rreth 160 mijë tonë në vit.
E ndërtuar në vitin 2006, jashtë standardeve, deponia ka tejkaluar kapacitetet dhe kohën e operimit.
Sipas raportit më të ri të Kompanisë publike për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave (KMDK) të vitit 2022, kjo deponi paraqet “rrezik permanent për mjedisin; rrezikim të aseteve shtetërore, por rreziku më i madh është se mund të vijë deri te rrezikimi i shëndetit dhe te humbja e jetës së njerëzve në atë mjedis”.
Ajo është vendosur në një gropë të mbetur nga mihja e qymyrit dhe në një pozitë më të ulët se një liqen në afërsi, dhe shkaktohen përmbytje graduale.
“Problemi me ujërat e zeza në këtë deponi është jashtë kontrollit për shumë vite meqë pika e grumbullimit të ujërave të zeza është përmbytur”, thotë Dardan Velija, që udhëheq Kompaninë publike për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave (KMDK).
“Është dashur të intervenohet me kohë, gjë që nuk është bërë dhe jemi ku jemi… Ka pasur mungesë të investimeve, ka pasur keqmenaxhim të gjatë në këtë sektor, ka pasur planifikim të mangët”, thotë Velija.
Problem tjetër, sipas tij, është lirimi i gazrave të shumta të patrajtuara nga deponia, që përbëjnë rrezik për ndezje zjarresh.
Në raportet vjetore të kësaj kompanie publike, vazhdimisht është shprehur shqetësim se deponia mund të shkaktojë edhe ndotjen e ujërave nëntokësore në fshatrat përreth.
Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova disa herë që kjo deponi të mbyllet dhe të rehabilitohet me urgjencë për shkak të “ndikimit negativ në mjedis”.
Me gjithë problemet evidente, as KMDK-ja e as Qeveria e Kosovës deri më tani nuk kanë prezantuar ndonjë plan publik apo afat kohor për mbylljen e kësaj deponie.
“Përderisa nuk krijohen kapacitetet e reja (deponuese), është e pamundur praktikisht të mbyllet”, shprehet Velija.
Sipas tij, në plan kanë intervenime urgjente në Mirash derisa të ndërtohet deponia e re me ndihmën e fondeve të BE-së dhe Qeverisë gjermane, që mund të nisë vitin e ardhshëm.
Banka Gjermane për Zhvillim (KFW) si zbatuese e projektit për deponitë, thotë për REL-in se Mirashi nuk është subjekt i drejtpërdrejtë i investimeve, por se janë duke analizuar vende alternative si deponi për të “reduktuar barrën e Mirashit”.
Përveç Mirashit, në Kosovë ekzistojnë edhe shtatë deponi shtetërore mbeturinash, shumica prej të cilave po ashtu kanë nevojë, qoftë për intervenime apo edhe mbyllje, për shkak të tejkalimit të kapaciteteve.
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit i përshkruan ato si ndër “burimet kryesore të ndotjes së tokave në Kosovë”.
“Grumbullim, deponim dhe varrosje”
Tahir Krasniqi nga Qendra për Edukim dhe Zhvillim të Mjedisit (CEDE) thotë se menaxhimi aktual i mbeturinave në Kosovë është problematik për shkak se të gjitha mbeturinat, pa dallim, grumbullohen dhe hidhen nëpër deponi dhe më pas mbulohen me dhe.
“Nuk ka ndërmjet këtij modeli linear ndonjë formë qarkulluese që të vihen në funksion mbeturinat që riciklohen ose që mund t’i ripërdorim më tutje”, thotë Krasniqi.
Ndonëse nuk ka vlerësim të saktë zyrtar, të dhënat e Agjencisë së Statistikave në Kosovë thonë se niveli i riciklimit të mbeturinave në Kosovë është rreth 5 për qind.
Ndarja dhe riciklimi bëhet kryesisht në sisteme joformale dhe nga sektori privat.
“Hedhim çfarëdo që bëhet, pampersa [pelena], letra, shishe, por jo nga ushqimi, asgjë nuk hedhim në shportë. Të gjitha tjerat (i hedhim në shportë)”, thotë Raza Krasniqi, banore e fshatit Breznicë në Obiliq.
“Përpara e gjuanim nëpër lumenj e nëpër… sepse nuk ka pasur shporta. E gjuanim në lumë, e merrte uji”, shton ajo.
Shërbimi i grumbullimit të mbeturinave në Kosovë është përmirësuar në vitet e fundit dhe tani mbulon mbi 90 për qind të territorit.
Por, hedhja ilegale vazhdon të jetë e pranishme me afër 400 deponi ilegale të mbeturinave nëpër gjithë Kosovën.
Një raport i shtatorit të vitit 2024, i quajtur “Anketa botërore e rrezikut”, nga Lloyd’s Register Foundation, e listoi Kosovën si vendin e tretë në botë me nivelin më të ulët të ndarjes së mbeturinave në shtëpi.
Duke iu përgjigjur pyetjes së anketës se a bëhet ndonjë lloj ndarjeje e mbeturinave para hedhjes nga shtëpia, 84 për qind thanë se jo.
Më keq se Kosova u listuan vetëm dy vende të Afrikës – Gaboni dhe Bregu i Fildishtë.
Në dhjetëshen më të keqe janë edhe dy vendet e Ballkanit Perëndimor – Mali i Zi dhe Shqipëria.
“Po të mos i hidhnim qeset plastike (në vendgrumbullim) dhe najlonin, mbase do të ishte ndryshe të jetonim këtu, nuk do të kundërmonte aq shumë”, thotë Sërxhani në Palaj të Obiliqit, teksa ankohet për erën e plastikës që ndonjëherë merr flakë në deponinë e Mirashit.
Pensionisti thotë se vetë mundohet të bëjë ndarjen e mbeturinave në plastikë e metale, por nëse ndonjë person privat nuk i merr, “atëherë kamioni i grumbullimit i hedh të gjitha në një vend”.
“Çfarë të bëj? Nuk mund t’i them mos i hidh. E di që duhet të shkojë për riciklim, por nuk vjen ndonjë kamion i veçantë”, thotë ai nervoz, teksa bën gati shportat për grumbullim e radhës që bëhet çdo të premte.
Panorama e turizmit e ndotur nga mbeturinat
Për dallim nga Kosova, Shqipëria, një prej vendeve me rritjen më të madhe të numrit të turistëve në Evropë, provoi një zgjidhje tjetër për menaxhim më efikas të mbeturinave.
Nga viti 2016, Shqipëria planifikoi ndërtimin e tre inceneratorëve (djegës) për të kontrolluar mbetjet dhe për të prodhuar energji. Mirëpo, projekti shpejt u përfshi në skandale dhe hetime për korrupsion të nivelit të lartë.
Nga ajo që u quajt “afera e inceneratorëve”, u dënua me burgim edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Akuzat e dala nga afera, tani po trajtohen edhe në Gjykatën e Posaçme të Apelit në Shqipëri.
Pronat janë sekuestruar dhe vetëm njëri prej inceneratorëve është në funksion, ndërsa dy të tjerët kanë mbetur thjesht deponi klasike.
Lavdosh Ferruni, ekspert i mjedisit, thotë se futja e inceneratorëve si “zgjidhje” dekurajoi praktikën e riciklimit, që më 2021 llogaritej të ishte rreth 18 për qind.
“Është një faktor që ndikoi në ecjen mbrapa në [fushën e menaxhimit të mbeturinave]”, thotë ai.
Në fshatin Kallëm i Madh në Fier, banorët thonë se ndërtimi i inceneratorit që nuk punon, vetëm sa i ka ndotur tokat bujqësore përreth, meqë deponia e mbeturinave po rritet dita-ditës.
Ledion Buzi që po korrte misrin e mbjellë në arën ngjitur me deponi, thotë se për pak kohë, toka mund t’i mbetet djerrinë.
“Ndotja e ajrit te bima ndikon shumë. Ndotet ajri, ndotet uji i vaditjes”, thotë ai.
Aktualisht, problemet me mbeturina në Shqipëri janë të ngjashme me fqinjët ballkanikë, veçse pasojat ndihen edhe në ujërat e shumtë të vendit.
Rreth 4 kilometra nga resortet e bukura të Kepit të Redonit, një plazh i vogël skaj detit Adriatik, në Perëndim, ku vendasit mbajnë mend të jenë larë më herët, tani është i mbuluar me mbeturina.
Aty është grykëderdhja e lumit Ishëm i cili, përveç ujit, shkarkon edhe shumë mbetje, përfshirë plastikë, rroba, metale e madje edhe mbetje medicinale.
“Dita-ditës vijnë mbeturina më shumë. Gjithnjë ka ardhur duke u shtuar pisllëku”, thotë peshkatari Nazmi Canameti, për të cilin peshkimi është mënyra e vetme e sigurimit të jetesës.
“Të gjitha pisllëqet që i sjell lumi, hyjnë në det. Në det i kapim me rrjeta, grisen rrjetat dhe peshku largohet”, ankohet Canameti që jeton në fshatin e afërt, Likmetaj.
Lumi Ishëm mbushet nga burime ujore që përshkojnë Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, dhe disa qytete të tjera, më të vogla.
Organizata “River Cleanup” , më 2022, e kishte quajtur këtë lumë “një nga më të ndoturit në Evropë”, pasi shkarkon rreth 700 kilogramë mbetje plastike në det çdo vit.
I rritur skaj Ishmit, Lulzim Baumann thotë se lumi iu bë inspirim për t’u bërë studiues dhe aktivist për mbrojtjen e mjedisit.
“Pesëmbëdhjetë vitet e fundit, lumi i Ishmit është totalisht i vdekur, nuk ka asnjë lloj aktiviteti”, thotë Baumman.
Duke dashur të krijojë një zgjidhje praktike për Ishmin, ai ka nisur të punojë në një qendër edukuese dhe ndarëse të mbeturinave për riciklim, në afërsi, që pritet të përfundojë këtë vit.
“Ne kemi filluar të grumbullojmë plastika përgjatë basenit të Ishmit, kështu që automatikisht e kemi krijuar një kontribut pozitiv, shumë pak nga ajo që unë e kam vizion, që të pastrohet gjithë Ishmi”, thotë ai.
Ministria e Mjedisit në Shqipëri deri më tani nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it në lidhje me menaxhimin e mbeturinave në vend.
Mbeturinat që marrin zjarr në Mal të Zi
Në mes të dy fqinjëve që kanë telashe me mbeturina, qëndron Mali i Zi, që kishte shpallur veten shtet ekologjik me Kushtetutë.
As ky shtet nuk qëndron më mirë sa i përket menaxhimit të mbeturinave apo riciklimit.
Telashe të mëdha në vendin turistik, dhe me aspirata për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian sikurse Shqipëria e Kosova, paraqesin deponitë e shumta ilegale nëpër gjithë territorin.
Njëra ndër to, e quajtur Mostina pranë Rozhajës, në verilindje të Malit të Zi, ka dekada që po e helmon mjedisin dhe popullsinë atje.
Në këtë zonë u regjistruan disa vdekje nga kanceri i mushkërive, i cili – sipas banorëve dhe një mjeku vendas – u shkaktua nga tymi i deponisë së djegur shpesh, ndonëse nuk ka të dhëna zyrtare që e bëjnë këtë lidhje.
Në deponinë e Mostinës shpërthen zjarri dhe zakonisht kjo ndodh gjatë natës, thonë vendasit.
Denis Muriç dhe aktivistë të tjerë civilë nga Rozhaja kanë bërë dhjetëra video dhe foto të deponisë së Mostinës në flakë dhe i kanë publikuar ato në rrjetet sociale.
Denisi filloi të luftonte me deponinë ilegale pas rasteve të vdekjeve në familjen e tij.
“Babai im vdiq nga kanceri në mushkëri, si dhe tre xhaxhallarët. Në një periudhë të shkurtër kohore, të gjithë vdiqën relativisht të rinj, deri në moshën gjashtëdhjetë vjeç dhe ky është fundi. Por, një gjë interesante – të gjithë vuanin nga kanceri në mushkëri. Ata nuk kishin histori gjenetike të kancerit më parë”, thotë ai.
Një mjek vendas, Adem Muriç, konfirmon historinë e Denisit.
“Kam punuar për tre vjet e gjysmë në shërbimet paramjekësore në Rozhajë, nga 2019 deri në 2023, dhe qartazi ka pasur një rritje të numrit të rasteve me kancer, veçanërisht, më lejoni të them, te popullata më e re apo e moshës së mesme. Dhjetëra njerëz nga fshatrat përreth kanë vdekur nga kanceri në mushkëri”, thotë mjeku Adem Muriç.
Për dekada të tëra, mbeturinat e Komunës së Rozhajës derdhen në Mostinë, legalisht dhe ilegalisht. Rreth gjashtë mijë tonë e gjysmë në vit, sipas të dhënave zyrtare lokale.
Në vitin 2012, administrata lokale e shpalli Mostinën lokacion për deponim të përkohshëm të mbeturinave, për një vit.
Ajsell Kallaç, sekretar për Çështje Komunale në Komunën e Rozhajës sqaron se Ligji i vitit 2012 ka lejuar edhe zgjatjen e periudhës njëvjeçare deri në ndërtimin e qendrës rajonale të deponisë në Berane. Por, në vend të një viti, deponia është e përkohshme tash e 12 vjet.
Deponia e re rajonale, sipas njoftimeve të fundit të Qeverisë, do të ndërtohet në vitin 2025.
Ndërkohë, Mostina është kthyer në një nga pikat “më të errëta” ekologjike në vend.
Aktivistët vendas thonë se aty derdhen të gjitha llojet e mbeturinave, por gomat përbëjnë më shumë shqetësim për ta.
Senad Pepiç nga OJQ Eko Gard në Rozhajë, thotë se ka pasur raste kur familje të tëra kanë ardhur atje dhe i kanë djegur ato për të nxjerrë hekurin, të cilin e shesin.
“Shtëpia ime është në këtë luginë. Prapa asaj kodre është deponia. Kur tymi nga deponia arrin te ne, ai e pushton plotësisht këtë lokalitet dhe ne nuk mund të shihemi për shkak të tymit“, thotë Denisi.
Vendasit dhe aktivistët protestuan tri herë në vitin 2024, duke kërkuar mbylljen e deponisë dhe ndërhyrjen e shtetit. Më pas, ministri i Ekologjisë, Damjan Qulafiç, vizitoi deponinë dhe bisedoi me administratën lokale.
“Po shkojmë drejt mbylljes së deponisë së Mostinës deri në fund të vitit dhe t’i sigurojmë Komunës së Rozhajës mjete të caktuara financiare, si ndihmë, që të gjitha mbeturinat që grumbullojnë, t’i çojnë në deponinë legale këtu në Podgoricë, derisa të ndërtojmë një qendër rajonale për menaxhimin e mbeturinave, e cila duhet të vendoset në Bijelo Polje”, tha ministri Qulafiç.
Pas presionit publik, Komuna vendosi mbikëqyrjen e Mostinës, kështu që nga fillimi i shtatorit nuk kishte më zjarre.
Ajsell Kallaç, sekretar për Çështje Komunale në Komunën e Rozhajës pranon se komuna i deponon mbeturinat aty:
“Do të ishte shumë jo e sinqertë nëse do t’ju thosha se këto mbeturina nuk janë hedhur në këtë lokacion”.
E, derisa administrata shtetërore dhe lokale po kërkojnë zgjidhje, qytetarët po bëjnë padi.
Denis Muriq thotë se ka ngritur një padi, ndërsa shumë të tilla po vijnë nga bashkëfshatarët e tij dhe të tjerë.
“Ne jemi në pritje të aktakuzës kundër Kompanisë Komunale për deponimin e mbeturinave, Ministrisë së Ekologjisë dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, të cilët të gjithë lejuan që kjo të bëhet, pa asnjë mbikëqyrje të deponisë ilegale”, thotë Denisi.
Mostina, përveç interesave lokale, mund të kërcënojë edhe ato kombëtare.
“Nëse nuk e zgjidhim këtë çështje në mënyrën që ju prezantova, Mostina dhe shumë deponi të tjera, që fatkeqësisht janë rreth 340 sosh në Mal të Zi, madje edhe të paligjshme – sipas të dhënave që kemi në dispozicion gjatë përgatitjes së Planit Shtetëror të Menaxhimit të Mbetjeve – të gjitha këto mund të jenë pengesë për hyrjen e Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, tha Damjan Qulafiç, ministër i Ekologjisë.
Mali i Zi, shteti i parë ekologjik i shpallur me Kushtetutë në botë, është në fillim të procesit të ndarjes së mbetjeve shtëpiake.
Sipas të dhënave zyrtare nga MONSTAT, Enti i Statistikave të Malit të Zi, rreth 0.3 të mbetjeve u ricikluan në vitin 2023, pesë herë më pak se më 2021.
Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, shumica e vendeve anëtare të të cilit kanë menaxhim më efikas të mbeturinave.
Sipas direktave të BE-së, secili shtet duhet të riciklojë të paktën 50 për qind të mbeturinave deri më 2030./REL