Rriten tensionet politike në Maqedoni. Kryeministri Nikolla Gruevski dhe Presidenti Branko Cervenkovski janë mbërthyer në një sërë akuzash të ndërsjella për dorëheqje. Sipas të dyja palëve, si kreu i ekzekutivit ashtu dhe presidenti po përdorin paratë e shtetit për të bërë fushatë politike dhe nuk po punojnë për qytetarët.
Por partia e kryeministrit VMRO-DPMNE ka raporte të acaruara edhe me partinë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim me të cilën është edhe në koalicion qeverisës. Raportet mes dy partnerëve janë ftohur pas aksionit të policisë maqedonase në dhjetëra shtëpi të shqiptarëve në Shkup, Kumanovë dhe Haraçinë, policia e cila nuk kishte urdhër të gjykatës u vu në kërkim të personave të dyshuar për vrasjen e një polici, disa kohë më parë.
Pas këtij incidenti, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, paralajmëroi se kriza politike do të kthehet në krizë etnike nëse Qeveria nuk e ndryshon qasjen e saj ndaj shqiptarëve.
Është e qartë se ka deklaruar Thaçi se shqiptarët e Maqedonisë tani nuk kanë një faktor politik në Qeveri që mund t`i mbrojë./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle
Montazh: Vilma Halilaj