Për gazetën gjermane “Kronen Zeitung” udhëtarët duhet të vizitojnë sa më shumë destinacione të ndryshme dhe të mos ndalen vetëm tek ato të cilat janë shumë të njohura. Për këtë arsye kjo media rekomandon që të vizitohet Shqipëria, vendi ende i panjohur ballkanik i cili është lehtësisht i arritshëm.
Kjo media thotë se vendi i vogël ofron plazhe të bukura me rërë, fshatra të qetë dhe një faunë dhe florë unike. “Në Rivierën Shqiptare, në jugperëndim të vendit, aty ku deti Jon takohet me Adriatikun, ka plazhe ëndrrash të ngjashme me Karaibet”, thuhet në këtë artikull. Në perëndim të Tiranës shtrihet porti i bukur i Durrësit, një parajsë me plazhet më të bukura me rërë.
Turistët duhet të zbulojnë edhe Kepin e Rodonit, 10 kilometra i gjatë që shtrihet në detin Adriatik, ku gjelbërimi takohet me blunë e detit. Rekomandon të vizitohet Tirana të cilën e përshkruan si një qytet i cili karakterizohet nga rrokaqiejt, xhamitë dhe kishat, si dhe ndërtesat shumëngjyrëshe të banimit. Një ndërthurje unike e arkitekturës osmane, komuniste dhe moderne.
Udhëtarët mund të vizitojnë Xhaminë e Et’hem Beut dhe Sheshin Skënderbej. “Kronen Zeitung” sugjeron edhe Piramidën që sot është shndërruar në një qendër kulturore, por dikur ishte një ekspozitë për nder të diktatorit Enver Hoxha.
Media e njohur rekomandon të vizitohen edhe Berati, “Qyteti i një mijë dritareve” i cili është renditur në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Me rëndësi historike është edhe Kruja, ku Skënderbeu kishte kalanë e tij. Qyteti mesjetar me pazarin e tij ofron pamje piktoreske të vendosur në faqen e një shkëmbi mbi fushë.
Në fund të shkrimit media gjerman siguron lexuesit se, Shqipëria është një destinacion ndryshe, por asnjëherë i mërzitshëm!
Klan News