Pas Ministres së Sportit ishte radha e kryebashkiakes së Parisit Anne Hidalgo për t’i mbushur mendjen qytetarëve se lumi i Seinës është i notueshëm dhe për këtë arsye vendosi të lahej vetë.
Ajo ishte zotuar se do të notonte në lumë në një përpjekje për të larguar shqetësimet se lumi nuk është mjaft i pastër dhe i gatshëm për të pritur Lojërat Olimpike. Asaj iu bashkuan edhe zyrtarë të tjerë të cilët vendosën të notonin në këtë lumë.
“Lojërat më shumë se na sfiduan, ishin forca më e madhe shtytëse për pastrimin e lumit”, u tha ajo gazetarëve.
Noti në lumin Seine ka qenë i ndaluar për më shumë se një shekull. Që nga viti 2015, organizatorët kanë investuar 1.5 miliardë dollarë për të përgatitur Seine për Lojërat Olimpike dhe për të siguruar që parisienët të kenë një lumë më të pastër pas Lojërave.
Ceremonia e hapjes së olimpiadës verore do të zhvillohet më 26 korrik në lumin Seine dhe ky eveniment do të zgjasë deri më 11 gusht me pjesëmarrjen e thuajse 11 mijë sportistëve nga mbi 200 vende të botës.
Klan News