Sali Berisha është i bindur se kontrolli i SPAK në shtëpinë e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është i diktuar nga mosbindja civile e qytetarëve.
“Nuk paskan gjetur ata një mënyrë për të pastruar telefonat. Ky është hetimi i Dumanit, ja ku është ky me Edi Ramën. Ka dhe foto të tjera ky Klajdi Meçe. Është një operacion i diktuar nga revolta popullore, mosbindja civile, e cila do të vazhdojë gjersa qytetarët të ‘varin’ në shtyllën e turpit, aty ku e ka vendin, kryehajduti i Tiranës, Erion Veliaj.”
Sërish iu rikthye akuzave ndaj vëllait të kryeministrit, teksa publikoi të dhëna që sipas tij provojnë lidhjet e tij me grupe kriminale.
“Agjencitë më serioze në botë të luftës kundër krimit dhe drogës do dërgojnë dosjen e tij. Prandaj lëri kërcënimet prej frikacaku, mos rreh gjoksin për shkak të Dumanit dhe Krajës se Olsi është i përfunduar.”
Përpara gazetarëve premtoi se pas ardhjes në pushtet, Partia Demokratike do të falë të gjitha gjobat e vendosura për energjinë elektrike, ujin e pijshëm dhe ndërtimet pa leje për kategori të caktuara qytetarësh, si pensionistët, familjet në nevojë dhe ato me të ardhura të ulëta.
“Do të jetë ky një nga aktet normative më të rëndësishme që do dekretojë qeveria e ardhshme. Ftoj këto familje të mos paguajnë asnjë qindarkë, pasi këto gjoba do të jenë 100% të falura. Në 100 ditët e para.”
Poshtë hodhi çdo mundësi për të përfshirë në listat e Partisë Demokratike të Lulzim Bashës në zgjedhjet e 11 Majit.
“Aq sa ka mundësi të jetë Taulant Balla. Ata u mpleksën shumë me njëri-tjetrin.”
Ndonëse demokratët s’iu bashkuan protestës së thirur para SPAK-ut nga Ilir Meta, Berisha tha se opozita do e dërgojë në Hagë çështjen e ish-Presidentit.
Tv Klan