Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte sot në qytetin e Durrësit në konferencën kombëtare përmbyllëse të takimeve “Dialog me Shqipërinë”, Idetë për të ardhmen e arsimit.

Kreu i selisë rozë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij vuri theksin mbi ndryshimin e sistemit me marrjen e pushtetit në Qershor të vitit të ardhshëm duke thënë se hapi i parë që do të bëjnë do jetë shembja e murit të presionit psikologjik që është ngritur nga qeveria aktuale.

Edi Rama: “Koha e mospjesëmarrjes së qytetarëve në jetën politike e publike për shkak të trysnisë primitive që ushtron pushteti i politikës së vjetër po mbaron bashkë me orët e këtij pushteti injorant të papërgjegjshëm dhe si s’ka më të korruptuar.”

Dialogu me Shqipërinë ka treguar se 700 mijë nxënës dhe qindra të rinj do të përjetojnë një tjetër fund kapitulli të hidhur.

Sipas Ramës qeveria aktuale ka hapur vetëm universitete pas një vizioni afatgjatë për të ardhmen duke vulosur me këtë veprim kapitullin më të zymtë gjatë këtij mandati.

Edi Rama: “Arsimi shqiptar nuk ka njohur ndonjëherë ditë më të këqija se këto të keqqeverisjes së Sali Berishës, por këto ditë janë njësoj të këqija për familjet e majta dhe të djathta.”

Rama ka vijuar më tej duke thënë se së bashku duhet të hapim një faqe të re mes shkollave për t’u futur në një sistem të ri për të arritur kështu standardet e kërkuara.

Duke e quajtur arsimin si një nga problemet më madhore Rama ka premtuar se do t’i jepet fund këtij sistemi 17-vjeçar ku 10% e fëmijëve janë në analfabetizëm, ndërsa braktisja e arsimit të detyruar mbetet në shifra alarmante./tvklan.al