Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Kryebashkiaku i sapo dalë nga zgjedhjet e 1 Tetorit në Durrës, hedh hapat e para në funksionin e tij të ri. Në mbledhjen e parë me shefat e seksioneve dhe kryetarët e rajoneve, Hoti ka kërkuar të bëhen përgatitjet për shpërndarjen e punonjësve të gjendjes civile nëpër rajone.

Kryebashkiaku Hoti, për këtë qëllim ka vënë një afat kohor deri në datë 15 Nëntor përgjegjëses së sektorit, që të bëjë preventivin dhe studimin përkatës. Lista e problemeve që nxjerr shpërndarja e gjendjes civile vazhdon e gjatë, duke pasur parasysh kaosin demografik në të cilin është përfshirë qyteti i Durrësit vitet e fundit.

Gjithashtu po dje pasdite, në sallën e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, u hap panairi “Durrës 2000”. 27 firma prodhuese dhe tregtuese prezantuan produktet e tyre në panairin e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit. Ky është edicioni i 4 i tij në qytetin bregdetar. Në hapjen e këtij panairi morën pjesë të gjithë pushtetarët vendor së bashku me deputetët. Shiritin e inaugurimit e preu kryebashkiaku i ri Miri Hoti./tvklan.al