Lajme Arkiva 2003

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të integrimit kanë hyrë në një fazë të re. Kryekomisioneri evropian Romano Prodi priti në Bruksel përfaqësuesin e qeverisë shqiptare, ministrin e shtetit Sokol Nako. Zoti Prodi duke shprehur kënaqësinë për ecurinë e deritanishme të negociatave tha se rezultatet konkrete në fushën e reformave do të jenë çelësi i suksesit për integrimin e Shqipërisë në BE.

Romano Prodi: “Procesi i integrimit është i përbashkët sepse me marrëveshjen e stabilizim-asocimit me Bashkimin Evropian duhet të kalosh hap pas hapi në bashkëpunimin miqësor, por tani falë edhe impenjimit të ministrit dhe ambasadorit shqiptar këtu ne kemi hyrë në një fazë të re që mund të jetë shumë e gjatë apo shumë e shkurtër. Kjo varet nga plotësimi i kushteve që i janë vënë Shqipërisë, por tani ne do të shkojmë ë bashku përpara. Pikësëpari unë shpresoj që të kemi një bashkëpunim rajonal më të intensifikuar, pasi nëse vendet e rajonit qëndrojnë të ndara ato nuk mund të kenë zhvillim ekonomik apo një lloj strategjie të koordinuar politike. Më pas ne punojmë së bashku në harmonizimin e anës institucionale në mënyrë që ata të plotësojnë kushtet një ditë dhe të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian, kjo është strategjia ime”.

Ndërsa ministri Sokol Nako ka siguruar angazhimin e qeverisë së Tiranës në plotësimin e kushteve të vendosura nga Brukselit.

 Sokol Nako:Marrëveshja e stabilizim-asocimit është një nga prioritetet më të rëndësishme që ka qeveris shqiptare dhe ne po punojmë seriozisht për këtë, po përpiqemi të bëjmë më të mirën për të ofruar sa më shumë bashkëpunim në kuadër të reformave në mënyrë që ti shkurtojmë sa më shumë që të jetë e mundur afatet e plotësimit të kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian. Ne e kuptojmë se është vetëm në dorën tonë për të treguar se sa të aftë jemi ne, për plotësimin e kushteve të kërkuara, për të përshtatur sistemet tona me ato të BE-së në mënyrë që ti hapim rrugën bashkëpunimit të mëtejshëm ekonomik, politik etj. Shqipëria dhe qeveria e saj i ka bërë të gjitha përpjekjet për të forcuar bashkëpunimin rajonal që përbën një bazë të rëndësishme për të shmangur eksperienca të hidhura të së kaluarës. Ne gjithashtu po e bazojmë rolin tonë aktiv rajonal në eksperiencat gjatë ngjarjes të së shkuarës ku kemi luajture një rol moderues, madje edhe në kohë shumë të vështira duke treguar se ndajmë të njëjtat vlera që Bashkimi Evropian mbron dhe ka”./tvklan.al