Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi ka ankimuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në Apelin e Posaçëm. Megjithatë në zbatim të masës që GJKKO i ka caktuar më 21 Tetor ajo do të paraqitet këtë të Hënë në SPAK. Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci edhe avokatët e ish-Presidentit Ilir Meta do të dorëzojnë sot ankimin për masën e “arrestit me burg”.  


Kujtojmë se Meta akuzohet për 3 vepra penale, “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “mosdeklarim pasurie”. Për të njëjtat akuza është caktuar masa ndaj Kryemadhit. Ndërkohë për këtë çështje Pirro Xhixho është lënë në “arrest shtëpie” dhe për Ema Çokun është caktuar masa e “detyrim paraqitje”. Sipas Prokurorisë së Posaçme, janë 3 episode për korrupsion pasiv të Metës, ndërsa për Kryemadhin 2 raste.

Mësohet po ashtu se deputetët e PL-së i kanë kërkuar informacion Policisë së Shtetit për planin operacional për prangosjen e Metës. Pra, se kush janë efektivët dhe detaje të tjera.

Kjo forcë politike i ka lënë afat uniformave blu deri më 7 Nëntor për përgjigje, e më pas pritet që të bëjnë një kallëzim penal.

/tvklan.al