2010-ta do të jetë vit përcaktues në privatizimin e aseteve publike, me përjashtim të spitaleve, shkollave dhe digave.

Kështu u shpreh kryeministri Berisha në takim me ministra dhe specialistë, ku e quajti mjaft të rëndësishëm këtë proces dhe luftën kundër korrupsionit në sipërmarrjet publike.

Sali Berisha: “Ky proces është i domosdoshëm dhe jetik para së gjithash për t’u ndarë me një zinxhir korrupsioni në sipërmarrjet publike, në sipërmarrjet ku shteti është aksionar dhe në tërë pronat gjen çerdhen e korrupsionit. Me këtë proces ne synojmë të rrisim në një nivel të ri menaxhimin e aseteve. Ky vit do të jetë përcaktues për pothuajse çdo gjë që ka mbetur pa  privatizuar”.

Paratë e përfituara nga ky proces do të shërbejnë për kompensimin e pronarëve, por edhe për të realizuar programin qeverisës, siç u shpreh kryeministri.

Sali Berisha: “Vlerat e krijuara nga ky proces do të jenë një mundësi më e madhe e qeverisë për të kompensuar pronarët sipas ligjit të parashikuar, por do të jetë një mundësi më e madhe edhe për të realizuar programin e shpallur përpara qytetarëve shqiptarë”.

Teksa kërkoi kompletimin e procesit të privatizimit të aseteve publike, kryeministri Berisha vlerësoi si mjaft të suksesshëm në këtë drejtim edhe vitin që lamë pas./tvklan.al

Gazetar: Eno Luarasi