Lufta kundër trafikimit të fëmijëve si një ndër fenomenet shqetësuese me të cilat përballet shoqëria jonë që pas viteve ’90 mblodhi në një tryezë të rrumbullakët kryeministrin Berisha, ambasadorin Withers, përfaqësues të koalicionit “Bashkë kundër trafikimit të fëmijëve”, ministra të kabinetit e organizata joqeveritare.

Mesazhet që u përcollën ishin të qarta, luftë dhe tolerancë zero ndaj skllavërimit të fëmijëve.

Sali Berisha: “Asgjë, asnjë formë skllavërie nuk është më e shëmtuar sesa trafikimi i fëmijëve. Jam i sigurt se shifrat zyrtare janë larg shifrave reale, cilësime burokratike, zyrtare të fenomenit janë të ngushta dhe nuk përfshijnë të gjithë spektrin e këtij problemi. Një gjë duhet t’u siguroj se për qeverinë kjo është dhe do mbetet në luftën me zero tolerancë të krimit”.

John Withers: “Kam folur për NATO-n, pavarësinë e Kosovës kundër korrupsionit, lirinë fetare, rëndësinë e institucioneve të pavarura për një demokraci dhe sërish do të flas për këto tema, por mund të them se nuk ka krim më të tmerrshëm se shfrytëzimi i atyre që janë të pambrojtur. Kur dëgjojmë histori të tilla besoj se të gjithë biem dakord se mbetet ende shumë për t’u bërë në këtë drejtim”.

Sipas raportit të publikuar mbi analizën e situatës së trafikimit në Shqipëri për vitin 2007 Shqipëria mbetet ende një vend origjine përsa i përket trafikimit të fëmijëve drejt Serbisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Greqisë.

Gjithashtu në raport sqarohet se tendencat e trafikimit nga viti 2003 deri tani vijojnë të mbeten ende në shifra të larta, ndonëse ka një rënie të lehtë të trafikut.

Të dhënat e publikuara sqarojnë se më të prekurit ndaj këtij fenomeni janë fëmijët e minoriteteve etnike e kryesisht ata rom në moshën 0 deri 6 vjeç.

Sipas të njëjtit raport për vitin 2007 vërehen 740 viktima të supozuara trafikimi në Shqipëri dhe fqinjin tonë jugor, Greqinë./tvklan.al