Shqipëria i ka të gjitha potencialet për të vazhduar projektet e mëdha në infrastrukturën rrugore.

Kështu deklaroi kryeministrit Sali Berisha në studion e emisionit Opinion, që këtë të enjte u zhvendos në Bruksel, aty ku Shqipëria dorëzoi të mërkurën përgjigjet e pyetësorit të Bashkimit Evropian për statusin e vendit kandidat.

Në këtë mënyrë kreu i qeverisë u është përgjigjur edhe akuzave të opozitës për mungesë fondesh për investimet publike dhe krizë ekonomike.

Sipas Berishës vetëm në muajin mars firmave ndërtuese u janë dhënë 100 milionë dollarë.

Sali Berisha: “Situata e depozitave në bankat shqiptare nuk është sekret, është 718 miliard lekë. Krediti total është 450 miliard. Kursimet janë rritur 13.7% gjatë këtij viti dhe kanë tendencë në rritje të vazhdueshme. Ti mund të kesh inat me Sali Berishën, por nuk mund të kesh kurrë inat me paratë e shqiptarëve.”

Blendi Fevziu: “Po a ka para apo jo zoti Berisha?”

Sali Berisha: “Absolutisht, edhe tepricë për të pagur borxhin.”

Pas rrugës së kombit një projekt po kaq i rëndësishëm pritet të realizohet, me Kosovën, ndërtimi i linjës hekurudhore, për të cilën, kreu i qeverisë tha se do të jetë një rrugëdalje për në Evropën Qendrore.

Ai u ndal edhe në projekte të tjera si boshti i jugut dhe hapja e tunelit të Kalimashit brenda mesit të muajit Maj.

Sali Berisha: “Hekurudhë, pa diskutim, Shqipëri-Kosovë, do kalojë të kjo rrugë. Po lidhja e Shqipërisë me Kosovën është jetike.”

Blendi Feviziu: “Me hekurudhë? Ne nuk kemi hekurudhë në Shqipëri zoti Berisha?”

Sali Berisha: “ Më fal një minutë, por ne do dalim në botë. Hekurudha me Kosovën të garantoj që do ketë po aq efekt ekonomik sa rruga. Porti i Vlorës, i gjithë transporti i kontenierëve, e ka jetike një hekurudhë, jo vetëm për Kosovën, jo vetëm për ne për të dalë në Kosovë.”

Blendi Fevziu: “Kjo është ide apo e keni planin realizues?”

Sali Berisha: “Absolutisht plan dhe i vendosur sa që kam qenë për rrugën.”

Po kështu, kryeministri foli edhe për sheshin “Skënderbej” dhe për situatën politike në Shqipëri, duke shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me kreun e opozitës, njëkohësisht të bashkisë së Tiranës.

Blendi Fevziu: “Pra ju jeni prapë i predispozuar të uleni me zotin Rama si kryeministër me kryetarin e bashkisë për të gjetur një zgjidhje për Tiranën?”

Sali Berisha: “Absolutisht po, për Tiranën po, pa diskutim, unë nuk mund të mos jem nuk mund ta lejmë Tiranën ashtu. Hajde zotëri ta marrim në mënyrën më serioze. Në qoftë se është për tu bërë unaza e vogël me 5 krosi, në qoftë se është për tu bërë një unazë tjetër hajde mund të bëjmë studimin dhe ta bëjmë. Me zotin Edi Rama në të gjithë karrierën politike kam bërë reformat më të thella.”

Blendi Fevizu: “Çfarë reformash mund zgjidhni sërish me zotin Rama zoti Berisha?”

Sali Berisha: “Të gjitha reformat që janë të domosdoshme për integrimin e vendit në BE.”

Intervista e kryeministrit Berisha në Opinion erdhi pas dorëzimit të përgjigjeve të pyetësorit të BE për statusin e vendit kandidat dhe takimeve që ai zhvilloi me drejtuesit e institucioneve më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian.

Pas këtyre takimeve, kreu i mazhorancës rikonfirmoi edhe njëherë se shqiptarët do të lëvizin pa viza brenda këtij viti në vendet e zonës Shengen./tvklan.al