Kryeministri Sali Berisha u prit në audiencë nga kryeministri i republikës popullore të Kinës, Wen Jiabao, një takim ku ishte i pranishëm dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ylli Pango.

Kryetari i qeverisë shqiptare shprehu nevojën për ngritjen e një stadi të ri të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në këtë funksion Berisha ftoi homologun kinez të vizitojë Shqipërinë duke e konsideruar këtë momentin e duhur ku Shqipëri-Kinë shënojnë plot 60 vjet marrëdhënie diplomatike, test që u pranua me kënaqësi nga kryeministri kinez.

I befasuar nga ndryshimet ekonomike në Shqipëri, Jiabao, tha se do të dërgojë një ekip që të vlerësojë fushat me interes për investimet kineze.

Kryeministri Berisha garantoi se qeveria do të ofrojë lehtësira të mëdha për investitorët kinezë, përfshirë mundësitë për të investuar në parqe industriale që po ndërtohen këtë vit në Shqipëri.

Kryeministri Berisha gjeti rastin për t’i kërkuar kryeministrit kinez gjetjen e mundësive për një kredi të butë që do të shkonte në rimëkëmbjen e infrastrukturës që ka trashëguar Shqipëria, një kërkesë që ka ndeshur në gatishmërinë e menjëhershme të kryeministrit Jiabao.

Kosova ishte gjithashtu temë e bashkëbisedimit. Jiabao tha se Kina respekton të drejtën dhe vullnetin e popujve dhe se mendon se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut me Serbinë./tvklan.al