Nisur nga tragjedia e shkaktuar nga shembja e një pallati në qytetin e Gjirokastrës ku mbetën të vdekur tre persona apo të rreziqeve të tjera publike që në Shqipëri nuk mungojnë qeveria po punon për të hartuar një platformë të re për mbrojtjen e qytetarëve nga rreziqet.
Sali Berisha: “Shqiptarë trashëguan një nivel sigurie përsa u përket rreziqeve jashtëzakonisht të dobët. Ngjarjet e zhvilluara janë dëshmi e këtij niveli të papranueshëm. Rreziqet janë në ndërtime, janë në stacionet e pompimit të benzinës, rreziqet bënë hatanë e Gërdecit, e cila hetohet dhe do hetohet pa asnjë mëdyshje duke nxjerrë çdo përgjegjësi, por të grumbullosh qindra tonelata barut në një vend pavarësisht ngase udhëhiqesh dëshmon shkallën më absolute të papërgjegjësisë njerëzore. Ju garantoj se qeveria po bën përpjekje të mëdha për një platformë, e cila mbron dhe duhet të mbrojë qytetarët ndaj rreziqeve”.
Kjo deklaratë e kryeministrit është bërë në ceremoninë e përurimit të njësisë së zjarrfikëseve në portin e Durrësit, ku ai ka kërkuar dhe kontributin e qytetarëve për të denoncuar çdo rast të rrezikut të shkaktuar nga abuzimi i njerëzve të veshur me pushtet.
Sali Berisha: “Të mos pranojmë të nënshtrohemi dhe të mësohemi me rreziqet, t’i denoncojmë ato si problemin më të parë. Vërtet një problem mund të mbyllet midis dy zyrtarëve, por s’do mund të mbyllet kurrë në të gjithë hierarkinë shtetërore.”
Duke prerë shiritin e përurimit të njësisë së zjarrfikëseve në portin e Durrësit, një investim prej 80 milion lekësh kryeministri ka garantuar se po bën përpjekje për të fuqizuar shërbimin e zjarrfikëseve, i cili është një shërbim jetik, jo vetëm për të shpëtuar jetën e qytetarëve, por edhe për të shpëtuar pronat apo pasuritë kombëtare.
Gjatë vizitës në rrethin e Durrësit në kuadër të nismës “Shqipëria po ndryshon” kryeministri është ndalur për të përuruar dhe përfundimin e punimeve të rrugës së Hardhishtes, investim me vlerë 36 milion lekë.
Duke folur përpara banorëve të kësaj zone Berisha i ka njohur ata me të gjithë investimet që qeveria ka ndërmarrë për të ndryshuar cilësinë e jetës të çdo banori të Shqipërisë si në qytet edhe në fshat.
Për Berishën pikërisht këtu qëndron dhe ndryshimi mes mazhorancës aktuale dhe opozitës socialiste.
Sali Berisha: “Kryetari është kryetari i qendrës. Ai të gjithë botën e tij shpirtërore e ka në qendrën e Tiranës. Epo sigurisht se po të jetosh në kafenetë e Tiranës dhe hotelet luksoze të Tiranës dhe të Perëndimit nuk do t’i bjerë ndërmend se ka rrugë dhe rrugica të fshatrave dhe komunave tona për t’i asfaltuar ato.”
Kryeministri Berisha është ndalur dhe në komunën e Gjepalajt ku ka inauguruar punimet për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 25 milion lekë./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka