Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, do të shpallet qytetar nderi i Prizrenit. Ceremonia do të zhvillohet me rastin e vizitës që shefi i kabinetit të ministrave do të bëjë në Kosovë me 6 dhe 7 tetor. Propozimi është bërë nga kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja. Ndërsa për këtë u pajtua të hënën edhe komiteti për politikë dhe financa.

Vula e kësaj ideje do të jepet me 30 shtator nga asambleja komunale në Prizren. Arsyetimi i propozimit për shpalljen e Berishës qytetar nderi të Prizrenit, është se kryeministri shqiptar është personalitet i shquar i jetës politike në të gjitha trojat etnike shqiptare dhe si i tillë do t’i bëjë nderë qytetit të lashtë të Prizrenit.

Berisha merr titullin qytetar nderi, është dekoruar edhe në Prishtinë dhe Gjakovë gjatë vizitës së tij të parë si kryeministër i Shqipërisë në Kosovë në vitin 2006. Ndërkohë zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Memli Krasniqi, tha se ende nuk është finalizuar agjenda e vizitës së shefit të qeverisë shqiptare. Berisha do të vij në Kosovë me ftesë të homologut të tij kosovar Hashim Thaçi. Në këtë rast 2 vendet do të nënshkruajnë 6 marrëveshje ndërshtetërore të karakterit politik./tvklan.al