Në vizitën e tij në Kosovë, kryeministri çek, Jan Fisher zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të qeverisë si dhe me trupat ushtarake ceke të NATO-s në Kosovë.
Pas takimit me Fisher, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Prishtina dhe Praga zyrtare do të vazhdojnë të kenë marrëdhënie të shkëlqyera edhe në vitet në vazhdim, në një kohë që u shpreh optimist për një integrim të shpejtë në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Hashim Thaçi: “Ne do të vazhdojmë të kemi marrëdhënie shumë të shkëlqyeshme bilaterale mes Kosovës dhe republikës Çeke. Në të ardhmen Kosova si pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Po kështu kreu i qeverisë së Kosovës shprehu falënderimet ndaj kryeministër çek për kontributin që trupat ushtarake ceke kanë dhënë për Kosovën.
Ndërkaq, Fisher nga ana e tij tha se qeveritë e të dyja vendeve po punojnë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë.
Jan Fisher: “Ne po bisedojmë lidhur me mundësitë për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe.”
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia më 17 shkurt të vitit të kaluar dhe deri tani është njohur nga 62 shtete, përfshi këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 22 qeveri të bllokut 27 anëtarësh, ndër këto edhe Çekia./tvklan.al