Kryeministri grek Kostas Karamanlis do të vizitojë Tiranën në fund të prillit, një vizitë që pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO tenton kthimin e vërtetë të një fqinjësie të mirë mes dy vendeve.
Në një intervistë për Tv Klan ambasadori shqiptar në Athinë Vili Minarolli, u shpreh se kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë sepse tregon marrëdhëniet e mira mes dy shteteve por edhe mbështetjen e Greqisë për integrimin Europian të Shqipërisë .
Vili Minarolli: “Si çdo vizitë e këtij niveli tregon dhe vullnetin politik dhe dëshirën e dy vendeve tona për të zgjidhur të gjitha problemet të mbetura dhe që ndikojnë dukshëm në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Greqisë. Vizita në këtë moment është një afirmim i plotë i mbështetjes së Greqisë për integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane.”
Karmanlis mbërrin në Tiranë ndërsa vendi përgatitet për zgjedhjet parlamentare por edhe për të aplikuar për vendin kandidat në Bashkimin Europian.
Vili Minarolli: “Shqipëria ka mbyllur MSA me të gjitha vendet e BE-së. Së shpejti paraqet kërkesën për të fituar statusin e vendit kandidat dhe Greqia është shprehur se do ta mbështesë Shqipërinë në këtë rrugë. Është kryeministri i parë që vjen për vizitë në Shqipëri pas anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO. Është edhe një afrimim i punës së mirë të qeverisë në mandatin e saj dhe besimin e patundur të palës greke për mbështetjen e qeverisë shqiptare për mandatin e dytë qeverisës.”
Vizita e tij bëhet në një kohë kur kolltuku i kryeministrit grek ka muaj që po tronditet nga dhuna, kriza ekonomike dhe politika e brendshme. Agjenda e bisedimeve dy palëshe do të jetë mjaft interesante sipas Minarollit. Ajo do të përmbajë probleme që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe, çështjet e Shqipërisë në integrimin në BE, çështje me NATO-n dhe rajonin.
Karamanlis do ti drejtohet edhe deputetëve shqiptarë të cilëve do u shprehë pikërisht atë çka Greqia do të përbëjë edhe në të ardhmen, partnerin strategjik të Shqipërisë drejt BE./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle