Presidenti francez Nikolas Sarkozy siguroi të hënën kryeministrin kosovar Hashim Thaçi, se Parisi mbështet me forcë hyrjen e Kosovës dhe të të gjitha vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian.

Parisi i mbahet idesë, se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se Franca është e angazhuar plotësisht përkrah Kosovës, për ta mbështetur në rrugën e konsolidimit demokratik dhe të prosperitetit- thuhet në komunikatën për shtyp të pallatit presidencial.

Kosova, mësohet të ketë thënë presidenti Sarkozy ka një të ardhme si pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit në gjirin e Bashkimit Europian. Franca e mbështet këtë të ardhme dhe do ta ndihmojë Kosovën të anëtarësohet në bllok. Kjo është konfirmuar edhe nga vetë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi

Hashim Thaçi: “Ishte një takim i shkëlqyeshëm me presidentin Sarkozy. Një mbështetje e jashtëzakonshme e Francës për shtetin pavarur sovran dhe demokratik të Kosovës me të ardhmen evropiane.”

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Paris, Thaçi i ka paraqitur Sarkozysë progresin e institucioneve të Prishtinës duke marrë gjithashtu edhe zotimin për  thellimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.

Hashim Thaçi: “Gjithashtu shpreha zotimet e qeverisë së Kosovës, institucioneve të Kosovës se ne do të vazhdojmë me progres, do të vazhdojmë me reforma demokratike edhe në legjislacion edhe në ekonomi edhe në politikë për të ardhmen tonë të sigurt Evropiane.”

Në përfundim të takimit presidenti Sarkozy ka pranuar ftesën e kryeministrit Thaçi për një vizitë zyrtare në Kosovë, e cila do të realizohet gjatë  këtij viti./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle