Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Kryeministri Meta, ka ftuar biznesmenët rajonal dhe donatorët perëndimor, të mbledhur në Stamboll, në kuadër të Paktit të Stabilitetit, të investojnë më shumë në Shqipëri. Në iu ofrojmë tha Meta, të gjitha lehtësitë, për të ndërtuar biznesin tuaj. Meta ka theksuar, se nga Janari 2001 do të ulen tarifat doganore.
Sipas kryeministrit Meta, mbledhja e këtij forumi të biznesit, aktualisht është shumë i rëndësishëm, pasi pa bashkëpunim ekonomik dhe pa shkëmbimin e biznesit nëpërmjet njëri-tjetrit, Pakti i Stabilitetit, nuk do të jetë në gjendje të plotësojë shpresën dhe aspiratat e qeverive dhe popujve të rajonit, për të sjellë paqen dhe prosperitetin ndërmjet të gjitha kombeve tona.
Biznesmenët rajonal kanë kërkuar në takim të mos ketë vetëm donator përfitues por të zgjohet potenciali i biznesit. Ata kanë kërkuar gjithashtu klimë më të favorshme për biznesin, zbutje të barrierave tatimore, transparencë, legjislacion etj. Ky takim është zhvilluar në vijim të tryezës së dytë ekonomike të Paktit të Stabilitetit, që ka përfunduar dje në Stamboll. Pas këtyre takimeve, Turqia përfundon mandatin e saj në krye të tryezës së Paktit të Stabilitetit, për t’i lënë Shqipërisë kryesinë e radhës në Janar të vitit 2001./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego