Lajme Arkiva – TV Klan 2000

“Ju duhet të tregoni më shumë kujdes për mbrojtjen e interesave të shtetasve shqiptarë kudo që ndodhen”. Kështu iu është drejtuar sot kryeministri Meta, ambasadorëve tanë në vende të ndryshme të botës, gjatë një takimi në Ministrinë e Jashtme. Sipas Metës interes i veçantë duhet t’i kushtohet emigracionit të ri kryesisht atij të intelektualëve, të cilët janë potenciali që i duhen Shqipërisë.

Më tej kryeministri Meta, në ecurinë e diplomacisë shqiptare gjatë këtij viti, ka vlerësuar marrëdhëniet me Bashkimin Europian si më të lartat deri tani. Roli aktiv i Shqipërisë në Paktin e Stabilitetit tha ai, duhet forcuar edhe më shumë, pasi është në interesin tonë që projektet e këtij pakti të gjejnë zbatim.

Duke u ndalur tek çështja e Kosovës, Meta tha, se ajo nuk duhet të konsiderohet çështje e mbyllur. Shqipëria tha Meta, duhet të vazhdojë të japë kontributin e saj. Kryeministri pasi përmendi arritjet e qeverisë që drejton, kërkoi nga ambasadorët tanë të përcjellin imazhin e Shqipërisë ashtu siç është në të vërtetë, larg çdo influence negative që kërkon të errësojë atë. Kjo përfundoi Meta, realizon politikën e Integrimit, si dhe thith shpejt kapitalin e huaj dhe investimet.

Ambasadorët e Shqipërisë në botë janë takuar sot edhe me presidentin Mejdani. Prioritet e politikës sonë të jashtme, tha Mejdani, duhet të jenë Kosova, Integrimi në BE me strukturat euroatlantike, pika këto ku trupi diplomatik shqiptar në vende të ndryshme të botës, duhet të jetë tepër i angazhuar./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego