Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Kryeministri Fatos Nano i ka borxh Forumit të Krans Montanës, 110 mijë franga zvicerane. Këtë fakt tronditës e ka bërë publik presidenti i forumit Jean-Paul Carteron, i cili i ka kërkuar ndihmë Presidentit të Republikës Alfred Moisiu për t’ia kthyer këtë shumë, gjatë një dreke zyrtare të shtruar në Zvicër. Kur është bërë kjo kërkesë ka qenë i pranishëm edhe ambasadori shqiptar në Zvicër Leontiev Çuçi.
Lajmi bëhet i ditur nga zyra e shtypit të Partisë Demokratike, që i referohet kryetarit të kësaj partie Sali Berisha, i pranishëm në këtë drekë, por lajmi pohoet edhe nga burime të presidencës. Gjatë drekës presidenti i forumit Jean-Paul Carteron, i është drejtuar presidentit me këto fjalë:
“Zoti president, me shumë keqardhje, por jam i detyruar t’ju informojë se kryeministri juaj Fatos Nano, prej 6 vjetësh i detyrohet një shumë prej 110 mijë frangash zvicerane borxh këtij forumi. 6 vjet më parë ai erdhi në Krans Montana, me një ekip të gjerë zyrtarësh shqiptarë dhe kërkesës së asistentes time për të paguar shpenzimet, iu përgjigj, se nuk kishin marrë para me vete, por sapo të ktheheshin në Shqipëri do t’ua dërgonin shumën e faturuar kundrejt shpenzimeve të bëra. Madje kryeministri Fatos Nano la si peng disa pasaporta diplomatike të zyrtarëve që e shoqëronin. I kam dërguar faturat e shpenzimeve dhe dhjetëra letra, por nuk më ka kthyer asnjë cent dhe asnjë përgjigje. Unë u jam drejtuar zyrtarisht në mënyrë të përsëritur autoriteteve shqiptare në Zvicër dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe ende nuk kam marrë asnjë përgjigje. Zoti president, unë jam një mik i Shqipërisë dhe për të ruajtur dinjitetin saj nuk kam dashur ta bëjë këtë borxh një problem gjykatash. Ju lutem të ushtroni autoritetin tuaj, në mënyrë që kryeministri Fatos Nano t’i kthejë borxhin Forumit të Krans Montanës”.
Nga ana e tij, presidenti Moisiu theksoi, se dëgjonte për herë të prë për këtë borxh të kryeministrit Fatos Nano dhe se ai me t’u kthyer në Shqipëri do merrte masa që zoti Nano të shlyente borxhin. Ambasadori shqiptar në Zvicër, zoti Leontiev Çuçi, e siguroi kryetarin e këtij forumi zotin Carteron, se ai menjëherë do të informonte Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe qeverinë dhe do të kërkonte pagesën e këtij borxhi./tvklan.al