Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Më shumë se 11 mijë uniforma blu janë graduar, gjë që shënon së fundmi konvertimin e gradave nga ushtarake në policore. Ky ligj zbatohet pas tre vitesh nga koha kur u miratua, kohë e cila është shoqëruar me debate të shumta në lidhje me ndarjen gradave. Megjithatë, nga kryeministri Fatos Nano, zbatimi i këtij ligji, çel një etapë të re për policinë e shtetit, e cila pritet të jetë më e aftë ndaj përballimit të krimit.
Kryeministri Fatos Nano:- “Policia e shtetit si institucion i shtetit ligjor, po përballet me forma më të sofistikuara të krimit, siç janë trafiqet dhe korrupsioni. Kjo përballje me krimin, kërkon forma të reja përgjigje ligjore dhe të gjitha mjetet që na jep kuadri kushtetues dhe legjislacioni efikas. Me këtë rast, dëshirojë të theksojë, mbështetjen e patundur, time dhe të qeverisë, për të gjitha veprimet ligjore të ndërmarra për të spastruar radhët e policisë, nga të inkriminuarit dhe të paaftët. Mesazhi që po jep policia është se ajo është e vendosur ta thellojë më tej kundër korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar në çdo nivel që ai shfaqet”.
Edhe Ministri i Rendit Publik Luan Rama, e vlerësoi një hap të rëndësishëm gradimin e punonjësve të policisë.
Luan Rama:- “Ne do të vazhdojmë të shfaqim të gjithë vëmendjen dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të rivlerësuar çdo pretendim, për të korrigjuar defekte apo mangësi, që objektivisht kanë qenë të paevitueshme. Kjo do të thotë, më shumë seriozitet e përgjegjshmëri në të gjitha nivelet. Më shumë realizëm dhe parimësi në trajtimin nga trupat profesionale ligjore, që do të ndjekin në mënyrë më të drejtpërdrejtë zbatimin e këtij ligji”.
Me dekret të presidentit, ka marrë gradën drejtues, drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Bajram Ibraj. Ceremoninë e ka përshëndetur, por në shqip edhe ambasadori amerikan Xhefri.
Deri tani me gradën drejtues i parë ose gjeneral, mbetet vetëm ish-drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Bilbil Mema, por që aktualisht është i papunë. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Rendit, kjo është një çështje për të cilën vendos vetëm kryeministri. Me gradimin e uniformave blu nis edhe procesi i emërimeve dhe shkarkimeve të krerëve në policitë e rretheve dhe në Ministrinë e Rendit./tvklan.al