Në Podgoricë ku mori pjesë në samitin e kartës së Adriatikut kryeministri Rama u takua edhe me zv.Presidentin e SHBA, Mike Pence, dhe liderët e rajonit.
Kreu i qeverisë shqiptare ka zbardhur atë çfarë diskutoi me numrin dy të shtëpisë së Bardhë, i cili sipas Ramës nënvizoi fort, interesin e Shteteve të Bashkuara për të forcuar bashkëpunimin me vendet e rajonit, si edhe domosdoshmërinë për të rritur ndërveprimin mes vetë vendeve të rajonit, në funksion të përballimit me sukses të sfidave të sigurisë, paqes e prosperitetit, në rajon e në Europë.
Rama shkruan se takimet bilaterale me zv.Presidentin Pence, si edhe me liderët e tjerë të rajonit, patën rëndësinë e tyre të posaçme për rikonfirmimin e vullnetit për të ecur më tej përpara, të gjithë së bashku, në mbrojtje të interesave strategjike të popujve tanë.
Kreu i qeverisë shqiptarë nënvizon më tej se në takimin me Kryeministrin kroat, Plenkovic, u përcoll edhe ndjeshmëria e lartë e opinionit publik mbarëshqiptar për rastin e Ballist Morinës dhe u theksua nevoja për zgjidhjen më të arsyeshme të tij. TV KLAN