Nën drejtimin e kryeministrit Berisha komiteti ndërministror i integrimit në NATO miratoi gjatë mbledhjes së sotme programin kombëtar të masave dhe reformave të rëndësishme që do të ndërmerren nga qeveria shqiptare në kuadër të planit të veprimit për anëtarësim për periudhën deri në anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO.

Sali Berisha: “Mendoj se arritje serioze janë fshehur në luftën kundër korrupsionit, në luftën për funksionimin më normal të ekonomisë së tregut, por nga ana tjetër theksoj se këto arritje nuk mund të konsiderohen ndryshe veçse një stacion nga i cili ne duhet të synojmë me të gjithë përpjekjet tona për të thelluar dhe konsoliduar rezultatet e arritura, për të proceduar me reforma të thella në mënyrë që në Shqipëri të konsolidohet shteti ligjor, të konsolidohen standardet e vendeve aleate”.

Kryeministri e cilësoi reformimin e Forcave të Armatosura si një aspekt shumë të rëndësishëm të këtyre reformave.

Më herët kryeministri Berisha mblodhi komitetin për politikat e integrimit për të marrë nën shqyrtim detyrimet që ka vendi ynë në përputhje me MSA-në.

Sipas Berishës pjesa më e madhe e këtyre ligjeve që kërkohen nga Bashkimi Evropian për procesin e integrimit të Shqipërisë janë miratuar nga parlamenti, ndërsa një pjesë tjetër janë nën shqyrtim nga komisionet parlamentare./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle