Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Hetimet mbi vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari, kanë përfunduar, fajtorët pritet të dalin në gjykatë. Kështu ka deklaruar sot kryeprokurori Rakipi, duke e quajtur këtë çështje si angazhimin kryesor të tij, mbi të cilin janë hasur pengesa të shumta.

Kryeprokurori Arben Rakipi:- “Shumë shpejt me arritjen e disa përgjigjeve të karakterit administrativ, çështja do të shkojë në gjykatë dhe atje ju do njiheni me personat, që sipas nesh janë të implikuar në atë vrasje dhe sigurisht dhe motivet e saj”.

Atentati ka ndodhur në 12 Shtator 1998, para selisë demokratike. Për hetimin e kësaj ngjarje është ngritur një grup i posaçëm nga 5 prokuror shqiptarë të Prokurorisë së Përgjithshme. I gjithë procesi hetimor deri në përfundim është mbikëqyrur nga 4 prokuror norvegjez. Kryeprokurori Rakipi ka falënderuar të gjithë prokurorët e sjellë nga OSBE në ndihmë të prokurorisë shqiptare, për monitorimin e gjithë procesit të kësaj çështje.

Partia Demokratike, deri tani ka refuzuar të bashkëpunojë me policinë për zbardhjen e vrasjes së liderit të saj Hajdari. Ajo ka akuzuar si autorë të vrasjes Sali Mulosmanin dhe disa persona të tjerë po nga Tropoja./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti