Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku mbështet hetimet tërësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për çdo çështje e në çdo nivel, kundër krimit dhe korrupsionit.

Ky ishte mesazhi që shefja e përkohshme e organit qendror të akuzës i dha kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj gjatë takimit me të në Prokurorinë e Përgjithshme.

Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Prokurorisë së Përgjithshme, kryeprokurorja Marku kërkoi që Prokuroria e Krimeve të Rënda të vazhdojë pa hezitim dhe vendosmërisht punën dhe hetimet e filluara.

Ajo garantoi bashkëpunim për hetime të vazhdueshme nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndaj kujtdo që shkel ligjin.

Prokuroria e Përgjithshme, vijon njoftimi zyrtar, rithekson mbështetjen e nevojshme për çdo çështje, me çdo mjet dhe në çdo kohë, për të çuar përpara hetimet.

Po ashtu Prokuroria e Përgjithshme vë në dispozicion të Prokurorisë për Krimet e Rënda të gjitha burimet njerëzore dhe infrastrukturore për kryerjen e detyrave në përputhje me ligjin.

/abcnews.al