Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka shfrytëzuar konferencën përmbyllëse të Dialogut për Bujqësinë të zhvilluar në qytetin e Lushnjës për të kritikuar politikat e zbatuara nga qeveria në këtë sektor.

Në një fjalim që zgjati rreth 1 orë e 20 minuta kreu i selisë rozë renditi premtimet që sipas tij mazhoranca nuk arriti t’i realizojë në katër vitet e mandatit të saj.

Edi Rama: “Gjithçka ka degraduar edhe më zi seç ishte në vitin 2005 dhe të gjithë ata që e kanë votuar Sali Berishën për këtë premtim janë bujqër dhe fermerë të mashtruar kokë e këmbë”.”

Një pjesë e fjalimit të kreut të selisë rozë u fokusua në programin e Partisë Socialiste për zhvillimin e fshatit dhe sektorit të bujqësisë.

Rama përmendi si pjesë të reformave që PS do të ndërmarrë në këtë sektor inventarizimin e tokave të ndara sipas ligjit 7501 dhe nenin e subvencioneve për fermerët, si dhe asistencën për nënat me më shumë se katër fëmijë.

Edi Rama: “Unë jam absolutisht i bindur që atë që të gjithë e kanë premtuar e që nuk e ka realizuar ne mund dhe do ta realizojmë inventarizimin e plotë të pronës në tërësi dhe të tokës bujqësore në veçanti dhe nga ana tjetër dhënien e certifikatës së pronësisë”.

Konferenca e Dialogut për Bujqësinë është pjesë e një turi takimesh që socialistët do të përmbyllin deri në hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të Qershorit./tvklan.al