Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Kryetari i radhës i OSBE-së dhe Ministri i Jashtëm i Rumanisë, Mircea Geoana, i ka bërë sot thirrje urgjente të gjitha forcave politike në Shqipëri, gjatë një vizite në Tiranë, të kontribuojnë në suksesin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Nuk duhet lejuar tha ai, që zgjedhjet parlamentare, të mbeten peng i polarizimit politik. Ne vijoi kreu i OSBE-së, do të inkurajojmë dialogun politik dhe përgatitjet për zgjedhjet sipas rekomandimeve të ODHIR-it.
Mircea Geoana, ka takuar sot presidentin Mejdani, kryeministrin Meta, Ministrin e Jashtëm Paskal Milo, si dhe liderët e partive kryesore në vend. Kryeministri Meta, e ka siguruar atë, se qeveria e tij është e angazhuar për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme, duke përmirësuar dhe vënë në zbatim rekomandimet e dhëna. Kryetari i radhës së OSBE-së, ka takuar dhe kryetarin e PS Fatos Nano, i cili pas takimit tha:
Fatos Nano, Kryetar i PS:- “Reciprokisht konstatuam, që tryeza e djeshme e partive kryesore në Shqipëri në funksion zgjedhor, ishte një hap pozitiv dhe kuptuam që ky dialog të vazhdojë, në të gjitha nivelet”.
Mircea Geoana është takuar më pas edhe me kreun e PD Sali Berisha, i cili e ka cilësuar takimin tepër të frytshëm.
Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Takimi ishte i hapur, i sinqertë dhe i frytshëm. Diskutuam gjerësisht për korrupsionin dhe për procesin zgjedhor. Patëm një shkëmbim të gjerë dhe të frytshëm të pikëpamjeve”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego