Lajme Arkiva 2003
Dy emigrantë shqiptarë kthehen të keqtrajtuar barbarisht nga policia kufitare greke. 43-vjeçari Gurali Dinkollari nga Pogradeci dhe Besnik Leka nga Durrësi janë kthyer pasditen e së dielës në doganën e Kapshticës. Pasi mbërritën në tokën shqiptare, dy emigrantët e keqtrajtuar kanë bërë denoncimin në polici. Gjendja e tyre shëndetësore, paraqitet tejet e rënduar, sidomos ajo e 43-vjeçarit Dinkollari.
Ai ka rrëfyer të gjitha peripecitë që ka hequr në tokën greke.
Emigranti: Kemi ecur rreth një kilometër e gjysh në këmbë. Pasi kemi ecur një kilometër e gjysmë kemi takuar 5-6 veta të tjerë që ishin me kombësi irakiane dhe në këtë kohë duke ecur afrohemi afër fshatit na del policia, na thërret ndaloni. Ndaluam, na thanë shtrihuni barkas, u shtrimë. Në kohën që na folën greqisht, ne shumë apo pak e flasim gjuhën dhe e morëm vesh. Ndërsa ata, personat e tjerë nuk kuptonin. Përfundimisht i rrethuan edhe ata. Erdhën, mua më goditën në krahë. Si më goditën në krahë, jam kthyer nga krahu tjetër, rashë poshtë, më goditën nga poshtë, nga brinjët. Atë shokun tjetër që është nga Elbasani dhe banon në Durrës e kanë goditur me tytën e automatikut, se ai ishte nga mbrapa. Na morën nga aty na çuan në polici. Meqë ishim me dokumente me të tëra i kanë kontrolluar me kompjuter, figuronim apo nuk figuronim. Pastaj unë kisha dhimbje, temperaturë. Erdhën të na sillnin ilaçe, pasi fillova na morën na çuan në spital. Atë shokun e mjekuan pak. Lajmëruan policinë, na morën që aty, na çuan te shefi i krimeve, na pyeti ai si ishte puna. Sollën doktorin mjekoligjor, ka ardhur ai na ka vizituar, mbajtën procesverbalin dhe pastaj na lëshuan. Që andej erdha, shkova në spital u regjistrova atje dhe na thanë do bësh analizat, kurse ai shoku tjetër ka ikur në Durrës./tvklan.al