Skuadrat shqiptare nga Maqedonia e Veriut vijojnë Europa League
Suksesit të skuadrave të Superligës në kupat e Europës iu shtuan edhe ato të Shkëndijës dhe Renovës nga Maqedonia e Veriut. Dy ekipet nga Tetova kaluan në turin e dytë të Europa League me fitore jashtë fushe. Shkëndija mundi 2 – 0 Sumqayıt të Azerbajxhanit. Skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka i realizoi golat me penallti, por duke zotëruar edhe lojën.
“Duke pasur parasysh se kishim studiuar shumë mirë kundërshtarin, i dinim pikat e forta të kundërshtarit dhe pikat e dobëta të tyre. Mendoj që bëmë atë që ne kërkuam dhe besoj se me meritë kaluam këtë raund”, tha Gjoka.
Renova ia doli duke mundur 1 – 0 Alashkert të Armenisë. Një paraqitje bindëse që solli edhe një kualifikim pas 12 vitesh pritje. Shkupi, një tjetër skuadër shqiptare e Maqedonisë së Veriut u eliminua me humbjen 2 – 1 në fushën e Neftçi Baku.
Gjilani nuk arriti të bënte një tjetër mrekulli. Skuadra e drejtuar nga Gentjan Mezani u mund 2 – 0 në Prishtinë nga Apoel Nicosia vetëm në pjesët shtesë. Gjilani ishte ekipi i fundit nga kampionati i Kosovës në kupat e Europës.
Tv Klan