Një shtëpi e dytë, përveç asaj që ndodhej në Pantano, mund të ketë lidhje me zhdukjen e bashkëshortëve Pasho, trupat e të cilëve u gjetën të copëtuar dhe të futur në 4 valixhe, pak ditë më parë në Sollicciano të Italisë. Shtëpia në fjalë, sipas mediave fqinje, ndodhet në Novoli. Në këtë apartament “fantazmë”, çifti shqiptar mund të ketë jetuar gjatë kohës që qëndronin në Itali.
Hetuesit dyshojnë se Shpëtimi dhe Teuta, që në momentin që kanë mbërritur në Itali mund të kenë qëndruar në këtë apartament, e jo në Pantano, ku ndodhej apartamenti i Elonës, ish-partneres së djalit të tyre, Taulantit. Duke folur për La Repubblica, avokati i Elonës tha se çifti i bashkëshortëve qëndronin në zonën e Novoli-t. “Më 2 nëntor ajo ka ngrënë drekë së bashku me bashkëshortin, vetëm, në shtëpinë e tyre në Pantano, ku jetonin”.
Mediat italiane, citojnë edhe vajzën e çiftit, Vittoria Pasho, që la të kuptohej se ekzistonte edhe një tjetër shtëpi, por pa pasur shumë detaje rreth saj.
Sipas La Repubblica, apartamenti në Novoli, nëse konfirmohet do të kishte një rrol thelbësor: Mund të jetë vendi ku u krye krimi, e madje edhe vendi ku trupat e tyre qëndruan për 3 vjet, përpara se të përfundonin të futur nëpër valixhe në afërsi të superstradës.
Shumë çështje mbeten mister në këtë ngjarje horror. Që prej 2 Nëntorit 2015 vajzat humbën çdo kontakt me prindërit e tyre. 3 ditë më vonë, marrin një telefonatë nga një numër anonim: është një zë femre, që duket se është i së ëmës, e që i thotë: Po ikim, nuk do të përgjigjemi më. Vittoria i pyet se për ku janë nisur, por telefonata shkëputet. Të tronditura vajzat nisën t’i druheshin më të keqes.
Fakti që çifti kishte një shumë të madhe parash në shtëpi, sa vjen e bëhet edhe më i sigurt. “Im atë kishte pësuar një aksident të rëndë me makinë. Duhet të merrte 85 mijë euro, por mori vetëm 45 mijë“, thotë Vittoria, e cila shton se 5 mijë euro ia kishin dhënë asaj për të blerë një makinë, ndërsa të tjerat i kishin marrë me vete. Në fund, Vittoria përjashton pistën e hakmarrjes kundër vëllait. “Nuk besoj se kanë pritur prindërit e mi, kur kishin mua dhe motrën time këtu gjatë gjithë kohës“.
Atëherë, ku shkuan paratë? Dhe kush i mori?/tvklan.al