Mund të jemi të lodhur duke dëgjuar shprehjen klishe “mosha është vetëm një numër”, por shkenca e mbështet deri në njëfarë mase. Në një artikull të ri të National Geographic thuhet se nuk ka një prag specifik për moshën e vjetër, por nisja e procesit të plakjes ndryshon nga personi në person. Sipas studiuesve, ajo që ka vërtet rëndësi është mosha jonë biologjike, domethënë mosha e qelizave dhe indeve tona, jo data e lindjes. Në fakt, vitet e fundit vihet re se njerëzit e moshës së mesme dhe të moshuar ndihen më energjikë se moshatarët e tyre rreth 10 ose 20 vite më parë.
Kjo shpjegohet pjesërisht me faktorët që mund të rrisin jetëgjatësinë, por edhe nga përpjekjet që po bëhen për të përmbysur stereotipet e moshës. Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore , sipas “National Geographic”, kalimi në pleqëri pikaset kur dikush pushon së qeni aktiv në kryerjen e veprimeve të përditshme.
Vetëm në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të u krijua një moshë specifike e daljes në pension, midis 60 dhe 65, e cila ka mbetur sot e kësaj dite.
Plakja është faktori më i rëndësishëm i rrezikut për sëmundje jo të transmetueshme si kanceri, diabeti apo Alzheimer. Shumica e njerëzve sot kalojnë një pjesë të madhe të jetës së tyre me një nga këto gjendje kronike. Sipas të paktën të dhënave në SHBA, 95% e amerikanëve mbi 60 vjeç vuajnë nga të paktën një gjendje kronike dhe gati 80% kanë të paktën dy të tilla.
Është e rëndësishme të theksohet se perceptimet negative mbi moshën, veprojnë direkt te truri dhe mund të përkeqësojnë shëndetin tonë fizik, mendor e emocional.
Një tjetër element është se të moshuarit trajtohen ndryshe nga kultura në kulturë. Në botën perëndimore mbizotëron “kulti i rinisë së përhershme”, ndërsa në vendet lindore si Kina dhe Koreja, plakja lidhet me mençurinë dhe konsiderohet virtyt.
Por cila është saktësisht mosha jonë biologjike?
Megjithëse nuk mund të japim një përgjigje të prerë, sigurisht që shkalla e plakjes sonë varet si nga trashëgimia, ashtu edhe nga mënyra e jetesës dhe nga ngjarje të rëndësishme si fatkeqësi ose sëmundje kronike. Por pse disa njerëz janë tejet të shëndetshëm edhe pas të 70-ave? Studiuesit po përpiqen të japin një përgjigje, duke kërkuar faktorët që luajnë rolin më të rëndësishëm, ndërsa kanë deklaruar se deri në vitin 2050 një në tre njerëz do të jetë 60 vjeç ose më i vjetër./tvklan.al