Parlamenti në Maqedoninë e Veriut pritet këtë të Shtunë të votojë për qeverinë e re të drejtuar nga Hristian Mickoski, i cili riktheu pas 7 vitesh VMRO-DPMNE-në në pushtet për të parën herë që pas rrëzimit të Nikolla Gruevskit, i shquar për politikat pro-Moskës dhe Beogradit.
Por duket se edhe pas 7 vitesh në opozitë, VMRO-DPMNE nuk ka hequr dorë nga këto politika. Shembull tipik është përfshirja në qeveri si zëvendëskryeministër kreut të Partisë Demokratike të Serbëve të Maqedonisë Ivan Stoilkoviç, i cili do të drejtojë edhe ministrinë për marrëdhëniet mes bashkësive etnike. Për vite me radhë, këtë ministri e kanë drejtuar përfaqësuesit e partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, së fundi Artan Grubi.
Stoiljkoviç është shquar gjithnjë për qëndrimet e tij radikale pro Serbisë në Maqedoninë e Veriut dhe rajon, teksa shpeshherë është parë në krah të presidentit Aleksandër Vuçic dhe liderit të serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik.
Në të shkuarën, ai ka akuzuar LSDM-në si tradhtare të kombit pasi ia la shqiptarëve në duar pushtetin, që sipas tij duke përdorur një retorikë përçmuese “deri dje u qepnin veshjet maqedonasve”.
Masakrën e Srebrenicës të kryer nga serbët ndaj myslimanëve të Bosnjes e ka quajtur një “Diznejlend nekrofilik” ose teatër kukullash.
Në këtë dokument sekret të publikuar vite më parë nga investigimi i mediave si pjesë e projektit ‘Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit’, kundërzbulimi maqedonas ka identifikuar lidhjet e sherbimeve sekrete serbe dhe ruse me Stoiljkoviç.
Në qeverinë ku bën pjesë edhe ekstremisti serb pro rus janë edhe 5 ministrat shqiptarë të koalicionit VLEN, i cili u mbështet si publikisht dhe me kandidatë të Vetëvendosjes nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Një bashkëpunim i çuditshëm që bën bashkë në një qeveri njerëzit e Vuçic me ata të Kurtit.
Drejtuesit e koalicionit Vlen, por as vetë Kurti nuk i kanë komentuar kurrë këto deklarata të Stoiljkoviçit, pavarësisht se në pushtet kanë ardhur me kartën e patriotizmit.
Në qeverinë me 24 anëtarë, shqiptarët e koalicionit VLEN do të kenë 6 poste, ku më të rëndësishmet janë Shëndetësia dhe Integrimi Europian.
Tv Klan