Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se nëpërmjet sulmit në veri, Serbia tentoi që të lërë pa ujë, pa energji, pa ngrohje e pa komunikim qytetarët e Kosovës. Sipas kryeministrit, sulme të tilla janë të ngjashme me ato ruse në Ukrainë.

“Qëllimi ka qenë që një pjesë e madhe e vendit të ngelej pa ujë, në terr, në të ftohtë dhe pa komunikim. Ky sulm duket se ka ndërlidhje me sulmet masive të Federatës ruse ndaj Ukrainës, me ç’rast këto sulme ishin të orkestruara kundër infrastrukturës energjetike në Ukrainë. Qëllimi është që popullsia të vihet përfundi kushteve jetike, të minimumit të ekzistimit dhe të dëmtohet jeta e siguria e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, kemi sulme në objektin e Komunës së Zveçanit, e në të njëjtën kohë edhe në Ukrainë”, ka thënë Kurti.

Kurti shtoi se lënia i lirë i kryeterroristit Milan Radoiçiçit në Serbi është mbrojtje e hapur nga autoritetet serbe dhe inkurajim për të tjerët të kryejnë sulme terroriste në Kosovë.

“Qëndrimi i lirë e aktiv i Radoiçiqit në Serbi është e vërteta e Serbisë që po përpiqet që fqinjët e saj që s’janë anëtarë të BE-së t’i vë në kushte të tensionit dhe rrezikut. Liria e Radoiçiqit përbën mbrojtje të hapur nga autoritetet serbe dhe inkurajim për të tjerët që kryejnë sulme terroriste në Kosovë. Pas sulmit në Banjskë, ka pasur sulme të tjera. Këto ngjarje po dëshmojnë se Serbia s’ka ndërmarrë asgjë të parandalojë terrorizmin”, ka shtuar ai.

Kryeministri Kurti është kritikuar për mosparandalimin e ngjarjeve të tilla, por ai është justifikuar me faktin se ushtria e Kosovës nuk mund të dërgohet në veri. Ky është një pretendim i vazhdueshëm i tij, pavarësisht faktit se në kohë paqeje, ushtria nuk mund të dislokohet brenda vendit.

Klan News