Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar që anëtarësimi në Këshill të Evropës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Këtë e ka bërë të ditur vetë kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë, duke e quajtur për keqardhje mungesën e përkrahjes nga shtetet aleate.
E konsideron absurde kërkesën e Francës dhe të Gjermanisë që të dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese drafstatuti i Bashkimit Evropian për Asociacionin, si kusht për anëtarësim në KiE.
Kurti përmendi tri rastet që atij iu refuzua ta shkruajë draftin e Asociacionit. Sipas tij, draftstatuti i sjellë nga BE për Asociacionin është pranuar nga Kosova të përfshihet në pakon me marrëveshjen bazë dhe aneksin e Ohrit, por se përpjekja nuk ishte përmbushur për shkak se Serbia ka refuzuar nënshkrimin e pakos.
Ka thënë se Kosovës nuk mund t’i kërkohet përtej garancive që ka ofruar ai bashkë me presidenten dhe kryeparlamentarin në letrën me zotime që i ka dërguar KE.
Gjermania dhe Franca kanë përsëritur të hënën se procedimi i drafstatutit të Asociacionit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese do të ishte sinjal për ta siguruar mbështetjen në vendimmarrjen finale të Këshillit të Evropës këtë muaj. E Britania e Madhe i ka ofruar Kosovës përkrahje për anëtarësim në këtë organizatë.
Tv Klan